Raportimi nga KALLXO.com, ATK gjen parregullsi në kafenetë e Podujevës 

 

Inspektorët e Administratës Tatimore kanë konstatuar një numër të madh parregullsive në kafenetë e Podujevës.

Kjo të paktën është konstatuar në gjashtë prej lokaleve të kontrolluara ditë më parë nga ana e një ekipi inspektorësh nga Prishtina.

Inspektorët gjatë kontrollit vërtetuan saktësinë e informacionit, i cili ishte raportuar në KALLXO.com, se lokalet e kafeneve në Podujevë nuk po lëshonin kuponë fiskal.

Përpos kuponëve fiskal gjatë kontrollit janë konstatuar edhe punëtorë pa kontrata pune, gjetje e cila është e dënueshme me legjislacionin tatimor të Kosovës.

Për këto parregullsi të gjitha këto biznese janë propozuar për dënim tek zyra për gjoba dhe ndëshkime “ZGJONA”.

Gjatë ditës KALLXO.com, raportoi se edhe në një biznes në Vushtrri janë konstatuar parregullsi tatimore.

Aty u konstatua se biznesi i picerisë nuk kishte arkë fiskale, kishte punëtorë të padeklaruar dhe nuk posedonte libra të shitjes.

Edhe për këtë rast është rekomanduar ndëshkimi nga “ZGJONA”.

Pamje nga operacion i gjerë në Diskotekat e Prishtinës

 

Deri me tani kjo zyrë ka shqiptuar rreth 100 mijë euro gjoba nga kontrollet e realizuara pas raportimeve në KALLXO.com.