Aksion kontrolli i ATK-së në diskoteka FOTO: KALLXO.com

Pamje nga operacion i gjerë në Diskotekat e Prishtinës

Në vazhdën e aksioneve të Administratës Tatimore të Kosovës, po dalin në pah ikjet e tatimeve të shumë lokaleve e diskotekave që operojnë edhe pas mesnatës.

Këtë herë, inspektorët e ATK-së cak patën diskotekat në Prishtinë të cilët përkundër biletave të shumta që shesin nuk japin kuponë fiskal.

Bekim Gashi nga ATK, para se të nis kontrolla, u shpjegon inspektorëve se çfarë o të ndërmerrej në këto lokale e diskoteka.

“Sot është paraparë një vizitë që do të zhvillohet jashtë orarit të punës, aktiviteti do të zhvillohet në disa diskoteka”, paralajmëroi Gashi.

Në njërën nga diskotekat e kontrolluara nga ATK, gjendet që 75 tavolina nuk ishin pajisur me kupon fiskal.

Madje në një rast, menaxherët apo edhe pronarët e një diskoteke i kishin ofruar inspektorëve një kupon i cili ishte i vitit të kaluar.

Kishte edhe kuponë të cilat ishin të vjetra prej javësh por të cilat i ishin ofruar inspektorëve natën e kontrollës.

“Në rastin e vizitës janë konstatuar parregullsi të shumta. Në hyrje të lokalit ka arkë fiskale, por nuk lëshonte kuponë fiskal ndërsa në prani tonën lëshoi vetëm dy kuponë fiskal. Brenda në lokal ishin mbi 700 persona”, tregon mbarëvajtjen e aksionit Inspektori Gashi.

Parregullsi të mëdha ishin konstatuar edhe në lokalin apo diskotekën e dytë të kontrolluar nga inspektorët e ATK-së.

“Edhe në këtë lokal u konstatuan parregullsi të shumta. Tatimpaguesi është i pajisur me arkë fiskale por nuk lëshon kupon fiskal. Arka fiskale nuk punon dhe brenda në lokal ishin mbi 300 persona ndërsa 75 tavolina ishin pa kupon fiskal”, tregon tutje Gashi.