Raporti i ekspertizës nga Zvicra për vdekjen e Astrit Deharit në duart e Prokurorisë

Një  zarf i Institutit Zviceran është pranuar nga Prokuroria e Shtetit për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala tha se zarfi i pranuar është i mbyllur dhe nuk dihet se çfarë përmban brenda ekspertiza e Institutit Zviceran.

Ai tha se ky raport do t`i dorëzohet prokurorit të rasti dhe familjes së Astrit Deharit në momentin kur sipas tij do të përkthehet në gjuhën shqipe.

“Prokuroria i Shtetit njofton se sot me 17 tetor kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari, nga Instituti në Zvicër përmes ambasadës së Zvicrës në Kosovë”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka shtuar se Prokuroria ende nuk e di përmbajtjen e këtij zarfi.

“Ky raport është me zarf të mbyllur akoma nuk e dimë përmbajtjen e saj, këto janë vulat e pranimit, ambasada e ka pranuar dje, ndërsa sot është dorëzuar në prokurorinë e shtetit”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se zarfi do t’i dërgohet prokurorit të rastit dhe pastaj do të dërgohet për përkthim, ndërsa pas përkthimit do të njoftojnë opinionin për përmbajtjen e raportit,

“I lutem mediave që deri në publikim e raportit të përmbahemi nga deklarimet që mund ta dëmtojnë rastin”, ka thënë kryeprokurori Shala.

Ai tutje ka shtuar se pas përkthimit, raporti sa më parë që është e mundur do të bëhet publik edhe për media.

Gjatë ditës së djeshme, ministri në detyrë i i Ministrisë së Drejtësisë, Ableard Tahiri ka reaguar për pretendimet e avokatit Tomë Gashi se Ministria që ai drejton e ka pranuar këtë raport.

Pretendimet e avokatit Tomë Gashit se kjo ekspertizë ka ardhur Tahiri i ka quajtur të pavërteta.

“Deklarimet e avokatit Tomë Gashi, të shfaqura në publik, në lidhje me pranimin e Raportit  përfundimtar të ekspertizës për rastin e Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë, janë pretendime të pavërteta, tendencioze dhe absolutisht jo profesionale. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, dëshiroj të ju njoftoj se asnjë dokument me çfarëdo përmbajtje që lidhet me rastin Dehari nuk ka arritur në adresë të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhej në reagimin e Tahirit.

Tahiti tutje ka thënë se profesionalisht, avokati Gashi është dashur ta dijë se kjo çështje i takon organeve të zbatimit të ligjit dhe jo Ministrisë së Drejtësisë.

“Roli im si ministër i Drejtësisë me të marrë mandatin, ka qenë trajtimi i nevojshëm, sipas kërkesës së familje Dehari, për të mundësuar një super-ekspertizë jashtë vendit në një prej qendrave më të njohura të mjekësisë ligjore në Evropë. Me kohë, kemi siguruar edhe mjetet financiare për ekspertizën dhe organet e pavarura të sundimit të ligjit janë vënë në kontakt me Institutin e Lozanës në Zvicër, që ishte preferenca e familjes Dehari”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Ai tutje ka shtuar se pretendimet e avokatit Gashi janë të pabaza, jo profesionale dhe tendencioze, prapa së cilave sipas tij fshihet mungesa e njohurive procedurale.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e konsideroi vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e cilësuan vrasje.

Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran.

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala flet për raportin e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 17 octobre 2019

.