Fondet për izolim ndërtesash, u tentua të devijohen 1 milion euro

Eksperti i energjisë termike, Admir Shala, ka thënë se shumë projekte të subvencionimit të energjisë apo kalim në atë që ka të bëjë me burime të ripërtëritshme po zvarriten për shkak të procedurave burokratike.

“Në Kosovë ka shumë zvarritje si shkak i procedurave të shpronësimeve e lëshimit të lejeve. ZRRE për shembull, kushdo që vendos të mbajë panele solare në kulm, duhet të kalojë nëpër bord e shumë procedura”- tha ai në emisionin “KALLXO Përnime”.

Admir Shala foli edhe për vërejtjet që kishte pasur sa i përket implementimit të fondeve të Bankës Botërore për izolime të ndërtesave dhe inspektimeve të punimeve në terren.

Si shembull u mor puna e kryer jo mirë në kulmin e Spitalit të Gjinekologjisë.

“Ndërtesa e Gjinekologjisë është bërë me Bankën Botërore përmes KEREP, kam dëgjuar se ka mungu një pjesë e izolimit në kulm. Banka Botërore i ka mbyllur veshët për këtë”- tha ai.

Sipas Shalës, punimet me fonde të Bankës Botërore është dashur të mbikëqyren nga kompani e kontraktuar prej Kosovës.

“Si duket nuk është bërë mirë, do duhej të mbikëqyren nga kontraktorë të jashtëm, jashtë Fondit të Efiçiencës. Unë edhe zyrtarëve të Qeverisë u kam thënë se sektorin e energjisë e kanë kapluar kompanitë e ndërtimit”- ka thënë Shala.

Shala tutje potencoi se ka ngritur alarmin kur ka kuptuar se është tentuar të devijohen 1 milion euro.

“Bankës Botërore i ngutej vetëm t’i disbursonin fondet, përgjegjës për mbikëqyrje është një kompani e kontraktuar prej Kosovës. Kornizat dhe temat e referencës i vendos Banka Botërore. Ne do mund të mbikëqyrnim atë kompani e jo të dërgohen fondet te miqtë, është tentu të devijohen 1 milion euro. E kam ngritur alarmin për këtë”- shtoi më tej Shala.

Shala tha se lidhur me mosndërhyrjet nga ana e mbikëqyrësve e ka njoftuar edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por sipas tij, në vend se personit përgjegjës t’i kërkohej llogari, e ngritën në detyrë.

“Përveç me qenë i pastër të duhet edhe me pasë guxim. Po s’pate guxim është e kotë. Ministres Rizvanolli -Berisha i kam treguar, shumë mirë e di ajo, i thash që nuk vazhdoj me këta njerëz kështu. I raportova të gjitha në Qeveri dhe në vend se kryesuesin ta merrnin në përgjegjësi pse nuk ka raportuar për moskryerje të punëve, e ngritën në detyrë, e bënë koordinator kombëtar në MCC”- shtoi më tej Admir Shala.

KALLXO.com ka kontaktuar Bankën Botërore, e cila ka thënë se ata i financojnë projektet për efiçiencë përmes një kredie të butë që i është dhënë Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, këto projekte zbatohen përmes Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Fondit te Kosovës për Efiçiencë të Energjisë të cilët janë përgjegjës për t’i mbikëqyrur të gjitha punët dhe veprimet që kryhen me këtë kredi.