Eksperti tregon si kthehet nxehtësia e liruar nga serverët e kompanive të mëdha në ngrohje për qytetarët në Irlandë

Admir Shala është ekspert për energji termike. Ai ka udhëhequr Ngrohtoren e Gjakovës dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë deri në prill të këtij viti, tani punon në Ngrohtoren e Dublinit në Irlandë.

Shala në emisionin “Kallxo Përnime” tregoi se si kthehet nxehtësia që e lëshojnë serverët e “Amazon”-it dhe kompanive tjera të mëdha në energji për ngrohje të qytetarëve në Irlandë.

“Unë jam rekrutuar prej Agjencisë për Energji në Dublin për të ndihmuar atë qytet njëjtë si ka qenë rasti në Gjakovë. Për ata që nuk e dinë në Dublin është qendra ku janë serverët më të mëdhenj të Facebook-ut, Amazon, Google, të cilët shpenzojnë diku 15 për qind të energjisë elektrike të gjithë Irlandës, për shkak se duhet të ftohen”- ka thënë Shala.

Shala tutje potencoi se me “Amazon” kanë bërë marrëveshje që energjia e tepërt të rishfrytëzohet para se të lirohet. Ajo përdoret për ngrohje të qytetit.

“Tani kemi bërë një marrëveshje me ‘Amazon’, aty kemi vendosur një pompë termike, e marrim energjinë e tepërt dhe e rishfrytëzojmë para se të lirohet e të humbet, e ngrohim qytetin. E marrim me temperaturë më të lartë kurse e kthejmë më diku 15 gradë e cila pastaj i shërben kompanisë ‘Amazon’ për t’i ftohur serverët. Kjo është ngrohtorja e parë publike në Irlandë”- shtoi Shala.