Eksperti vë në pikëpyetje investimin 200-milionësh në bateri: Nuk kanë jetëgjatësi të mjaftueshme
Eksperti i energjisë termike, Admir Shala, i cili ka qenë pjesë e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka vënë në pikëpyetje investimin 200 milionë dollarësh në bateri përmes projektit të MCC-së.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” bëri të ditur se bateritë kanë një afat të caktuar kohor prej 6-10 vite, derisa potencoi se askush nga Qeveria nuk ka treguar koston e dekomisionimit të tyre.
“Ministres Rizvanolli shpresoj t’i kenë treguar që bateritë e kanë një afat kohor dhe pas disa viteve duhet të hiqen të gjitha, sa e kuptova 6-10 vite mund të qëndrojnë. Askush nuk ka treguar se sa kushton dekomisionimi i tyre”- ka thënë Shala.
Shala tutje shtoi se kanë qenë në presion të madh për të përfunduar projektin për Strategjinë e Energjisë pasi ministrja do shkonte në SHBA dhe i duhej ta kishte për shkak të këtij projekti me bateritë.
“Kemi qenë në presion të madh për këtë Strategji pasi ministrja do shkonte në SHBA dhe i duhej ta kishte për shkak të këtyre baterive me MCC-në. Dihet që kur je në presion të kohës, del keq, është vepruar ad-hoc”- shtoi më tej Shala.
Lidhur me bateritë, Ministria e Ekonomisë tha që duhet qartësuar se kapacitetet akumuluese janë teknologji që po zhvillohet dita-ditës.
“Bateritë e kanë jetëgjatësi rreth 25 vjet, megjithatë, duhet qartësuar se marrëveshje e lë të hapur mundësinë e përzgjedhjes së një teknologjie tjetër të akumulimit (jo domosdo bateri), e cila në kohën e implementimit mund të jetë më e përshtatshme apo më e avancuar, si dhe ekonomikisht fizibile” – deklaroi Ministria e Ekonomisë.
Shala shtoi se ngrohtorja ‘Termokos’ do ishte mirë të bëhej rajonale e jo kështu si është komunale, duke shtrirë rrjet edhe në komunat përreth.
“Fushë-Kosova ka potencial fantastik për t’u bërë më ngrohje, pasi ka densitet dhe nuk i nevojitet shtrirje e gypave në terrene të largëta, Lipjani po ashtu pasi Prishtina është afër. Kishte qenë mirë mirë “Termokos”-in ta bëjnë ndërmarrje publike rajonale e jo komunale pasi është interes i madh, ose të krijojnë dy tjera më të vogla”- tha Shala.
Sipas Shalës, me këto 200 milionë të baterive do mund të mbuloheshin 7 komuna me ngrohtore.