Admir Shala kritikon Strategjinë e Energjisë: Janë hequr propozimet e dhëna

Eksperti i energjisë termike, Admir Shala, ka thënë se Strategjia e Energjisë për periudhën 2022-2031 nuk është e definuar si duhet.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” bëri të ditur se theksi është vënë tek energjia elektrike e jo ajo termike.

“Në këtë Strategjinë që është definuar, fokusi është vënë tek energjia elektrike e jo ajo termike. E kam fjalën për strategjinë e re 2022-2031 që ka pasur të definojë zgjidhjen e këtij problemi”- tha ai.

Tutje Shala theksoi se edhe pse ka marrë pjesë në shumë grupe punuese dhe ka emëruar një koleg gjatë hartimit të kësaj strategjie, kur është publikuar dokumenti janë hequr thuajse të gjitha propozimet që kanë dhënë.

“Vitin e kaluar më ka ardhur një kërkesë të emëroj dikë për këtë Strategji të Energjisë, e kam emëruar një koleg por edhe vetë kam shkuar në shumë takime dhe kam qenë pjesë e grupit punues për efiçiencë të energjisë, kam dërguar propozime ku fokus ka qenë energjia elektrike, mikrogjenerimi. Kur ka dalë Strategjia e kam parë se i kanë hequr thuajse të gjitha. Kam dëgjuar se e kanë marrë një konsulent të huaj”- shtoi tutje Shala.

Eksperti i energjisë termike më tej shtoi se nëse e lexoni Strategjinë te pjesa e ngrohjes termike është një absurd sepse aty thuhet se është duke u bërë një studim për ngrohtore dhe varësisht rezultateve do veprohet më tutje.

“Duhet të bëhet fizibiliteti, në Strategji është dashur të definohet se do bëhen ngrohtoret”- shtoi Shala.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë, e cila ka thënë se hartimi i Strategjisë është bërë në bashkëpunim e koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante, si dhe ekspertët e angazhuar në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, KOSTT, KEDS, MBPZHR, MINT dhe MMPHI.

“Të gjithë këta ekspertë kanë qenë pjesë e grupit punues. Përtej grupit punues, Strategjia është hartuar me inpute dhe në bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë të sektorit përfshirë këtu përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë” – deklaroi Ministria e Ekonomise.

“Pra, po flasim për dhjetëra ekspertë të përfshirë formalisht brenda grupit punues, ose që kanë dhënë inpute e komente përgjatë të gjithë procesit, duke përfshirë këtu Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Akademinë, OJQ-të, etj.” – shtoi tutje Ministria e Ekonomisë.