Ilustrim (foto: reporter.al)

Raport: Bandat nga Ballkani tani janë kthyer në kontrabandistë globalë

Grupet dikur të vogla kriminale nga Ballkani Perëndimor tani e kanë zgjeruar shtrirjen dhe veprimin e tyre në Amerikën Latine, Australi, Europën Perëndimore dhe Turqi, thuhet në një raport të ri, duke u shndërruar kështu në faktorë ndërkombëtarë kyç.

Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë bërë faktorë kyç në fusha të ndryshme të kontrabandës në Europën Perëndimore, Amerikën Latine dhe Afrikën e Jugut, tregon një raport i ri i publikuar nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Raporti, i publikuar të premten, i titulluar “Tentakulat e Krimit Ndërkombëtar – Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor”, analizon të dhënat mbi aktivitetet kriminale nga grupe nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke u përqendruar kryesisht në aktivitetet e tyre në Europën Perëndimore, Amerikën Latine, Afrikën e Jugut, Turqinë dhe Australinë.

Ideja ishte “të gjurmohej se si grupe të caktuara nga Ballkani Perëndimor kanë evoluar në këto 20 vitet e fundit, duke u shndërruar nga kriminelë të vegjël dhe korrierë për t’u bërë shpërndarësit kryesorë të drogave në rrjete që shtrihen nga Amerika Latine deri në Europën Perëndimore dhe në Afrikën e Jugut”, thuhet në raport.

Sa i përket Europës Perëndimore, raporti përqendrohet kryesisht te Italia, Spanja, Holanda dhe Republika Çeke. Një pikë e rëndësishme hyrëse për drogat është bregdeti lindor i Italisë, thotë raporti, duke përmendur “numrin relativisht të madh të konfiskimeve të drogave në Bari dhe Ankona, të nisura me tragetet që vijnë nga Durrësi” në Shqipëri.

Shqiptarët në Itali që kryejnë importimin e drogës përgjatë bregdetit puljez gëzojnë një avantazh të dyfishtë: kanë lidhje me bashkëkombësit e tyre në burimin e furnizimit, si dhe me grupe në Shqipëri që mund të sigurojnë shpërndarjen”, vëren raporti.

Edhe bregdeti i Spanjës është gjithashtu një arenë tepër e rëndësishme për grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor, sipas raportit, i cili thotë se porti i Valencias është një bazë e rëndësishme për grupe nga Serbia dhe Mali i Zi.

“Valencia luajti rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin e kartelit të Kotorit. Në vitin 2014, në Valencia u zhdukën nga apartamenti i Goran Radoman (një shtetas malazez) rreth 200 kilogramë kokainë”, thotë raporti.

Mafia shqiptare ndërkohë është aktive në Holandë, ku biznesi i tyre ka evoluar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i emigrantëve dhe tani merren me tregti droge.

Republika Çeke është gjithashtu një bazë e dukshme për biznesin e krimit të organizuar nga Ballkani dhe në raport përmenden emra si Darko Sariç, Andrija Draskoviç, Milan “Lemon” Naranciç, Ismet Osmani dhe Qazim Osmani, dhe Borislav Plavsiç, si figura të njohura të krimit të organizuar ballkanik që ose kanë ose kanë pasur kompani të regjistruara atje.

Pasardhës mashtruesish të vjetër

Raporti vëren se shumica e bandave të krimit nga ish-Jugosllavia i detyrohen për suksesin dhe praninë e tyre në Europën Perëndimore brezit të mëparshëm të kriminelëve të vjetër nga Jugosllavia komuniste, disa prej të cilëve në fillim bënë karrierë si hajdutë dhe më pas, në trazirat e viteve 1990, u bënë kryekomandantë, siç ishte rasti i gangsterit serb Zeljko Raznatoviç “Arkan”.

Dobrosav Gavriç, një serb i akuzuar për vrasjen e Arkanit në janar 2000, jetoi në Afrikën e Jugut për rreth 13 vjet nën një identitet të rremë dhe tani është në burg dhe pret një vendim për ekstradimin e tij në Serbi.

“Është bërë e qartë se një numër serbësh që u vranë në Afrikën e Jugut midis vitit 2018 dhe 2020 kishin lidhje me Gavriçin, ishin pjesë e rrjetit të tij dhe erdhën fillimisht në Afrikën e Jugut për shkak të tij”, sugjeron raporti.

Raporti shton se “duket se ekziston një brez i ri kriminelësh nga ish-Jugosllavia që janë të përfshirë në tregtinë e drogës në Afrikën e Jugut”. Megjithatë, ai vazhdon, “nuk ka pasur asnjë arrestim, asnjë hetim dhe asnjë proces gjyqësor, duke e bërë të vështirë mbledhjen e ndonjë informacioni”.

Përveç tregtisë së drogës, grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu aktivë në kontrabandë cigaresh dhe emigrantësh në Turqi.

Sipas raportit, nga viti 2008 deri në vitin 2020, Amerika Latine u bë një pikë e nxehtë për grupet kriminale nga Ballkani. Arsyeja kryesore për këtë ishte kërkesa e lartë për kokainë në Europë, prishja e tregtisë për sa i përket furnizimit nga Kolumbia pas një marrëveshje paqeje në vitin 2016 atje dhe “klima e korrupsionit” lokal, e cila e trafikimin.

“Disa kriminelë mendjemprehtë nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia udhëtuan drejt vendeve prodhuese të kokainës për t’u përfshirë në furnizimin dhe shpërndarjen e drogës”, shpjegon raporti. Ata operojnë kryesisht në Kolumbi dhe Ekuador, por edhe në Uruguaj, Peru dhe Brazil, thotë raporti./Reporter.al