Arrestimi ne Gjilan per fajde, Foto nga Policia e kosoves

Aksionet e fundit kundër fajdesë, Sveçla thotë se të arrestuarit kanë përfituar vlera milionëshe

Policia e Kosovës gjatë dy ditëve të fundit ka arrestuar shtatë persona në disa lokacione të cilët dyshohen për fajde dhe detyrim.

Për këto aksione të Policisë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se të arrestuarit dyshohet se përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.

“Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë” – tha i pari i MPB-së.

Tutje ai luti dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale.

KALLXO.com raportoi lidhur me aksionet e fundit policore të cilët u zhvilluan në Pejë, Prishtinë e në Gjilan.

Dy persona janë arrestuar sot, më 21.06.2024 në Gjilan nën dyshimin për fajde dhe detyrim. Policia njoftoi se aksioni, i cili u zhvillua më 20.06.2024 në Pejë ka vazhduar sot me aksion të radhës edhe në Gjilan.

Aksioni është shtrirë në tri lokacione në Gjilan, dhe u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Një person tjetër tashmë është në kërkim nga organet e rendit pasi nuk është arritur lokalizimi i tij dhe arrestimi.

Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600 mijë euro.

Policia gjithashtu tha se gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

Aksion kundër të dyshuarve për fajde në Gjilan – Pamje