Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ramiz Lladrovci deklarohet lidhur me raportimin se policia i gjeti armë personit kërcënues ndaj tij

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është deklaruar lidhur me raportimet se policia gjeti armë tek një person kërcënues ndaj tij.

Ai përmes rrjetit Facebook tha se këtë person nuk e njeh dhe nuk i di motivet e tij.

“Është për keqardhje dhe u ndjeva keq nga lajmi në një portal lidhur me një qytetar, sipas Policisë, është kërcënues ndaj meje, tek i cili u gjetën edhe armë dhe radiolidhje. Këtë person as e njoh as nuk kam pasur njohuri se cili është, apo cilat janë motivet e tij”, ka thënë Lladrovci.

I pari i Drenasit tutje potencoi se si person që merret me politike është përballur me sulme të ndryshme, por që nuk ua ka pasur frikën dhe të gjitha i ka paraqitur tek organet përgjegjëse.

“Si person me veprimtari politike, nga vitet ’80 e këndej, kam parë e përjetuar sulme të ndryshme, nga persona të ndryshëm. Nuk ia kam pasur frikën as shpifjeve as kërcënimeve të hapura apo anonime, por, të gjitha i kam paraqitur pranë organeve përgjegjëse”, shtoi tutje Lladrovci.

Tutje, Lladrolvci theksoi se në fushatën e fundit ka pas kërcënime me identitete të rrejshme në rrjete sociale, të cilat po zbulohen nga policia.

“Kërcënimet e fundit gjatë fushatës zgjedhore, me emra e identitete të rrejshme, në rrjetet sociale, tashmë kanë filluar të zbulohen, ky është rasti i parë. E falënderoj Policinë për punën profesionale”, shtoi ai.

Lladroci potencoi se shpifjet dhe kërcënimet nuk do ia ndalin idealet politike, duke shtuar se armik të vetëm e ka pasur regjimin okupator.

“Si prind e familjar, si kryetar komune dhe veprimtar politik gati katër dekada, për idealet dhe qëllimet politike, nuk jam ndalur, as do të ndalem. Shpifjet as kërcënimet kundër meje, pavarësisht burimit, nuk më ndalin të punoj dhe zbatoj ligj. Kundërshtar e armik të vetëm e të papajtueshëm kam pasur vetëm një, e ai ishte regjimi okupator”, shtoi Lladrovci.

Për fund, Ramiz Lladrovci uroi që gjithçka të shkojë mirë në këtë periudhe të balotazhit.

“Jemi në kohën para balotazhit dhe uroj që gjithçka të vazhdojë, sikur deri më tash, me kulturë dhe qytetari shembullore, ashtu sikur na ka hije, komuna më e mirë në Kosovë, komuna edhe me qytetarët më të mire”, përfundoi ai.