Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, Foto: Fioralba Kryemadhi – KALLXO.com

Rama: Zhvendosja e ‘Sunny Hill’ ndodhi kryekëput për shkak të zvarritjeve nga qeveria

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Ai ka thënë se arsyeja se përse festivali “Sunny Hill” është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjeve të Qeverisë së Kosovës.

“Arsyeja se përse ky festival është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale është bërë në pajtim të plotë me ligjin. Institucionet qendrore vazhdimisht kanë ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe në kompetencat e kryetarit të komunës”, ka deklaruar Rama.

“Kjo zvarritje e Qeverisë është e pafalshme dhe i ka bërë dëm artit e kulturës, imazhit të vendit, rinisë sonë e poashtu edhe ekonomisë së Prishtinës e të mbarë vendit”, shtoi ai.

Rama ka ftuar Qeverinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe sipas tij të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Ftoj Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Komunës. Për hir të transparencës dhe të bashkëpunimit, Qeveria ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës e cila ka qenë e gatshme për nënshkrim dhe e cila siguron marrëveshjen më të mirë dhe është në mbrojtje të interesit publik”, ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës tha se ka besim të plotë që festivali “Sunny Hill” nga viti tjetër dhe tutje do të jetë në Prishtinë.

“Kam besimin e plotë se festivali Sunny Hill, nga vitit tjetër e tutje do të jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë pra këtu ku edhe e ka vendin”, u shpreh Rama.

Ai ka folur edhe për pronën prej 17 hektarësh, e cila do t’i jepej në shfrytëzim “The Sunny Hill” për 99 vite, në Bërnicë të Poshtme.

“Nuk e kam pru unë 99-shin, e kam gjetë këtu sepse Qeveria e kaluar e ka vendos që kjo tokë t’i jepet në shfrytëzim për 99 vite. Kanë  qenë tri pika për të cilat janë kërku për me u bo e ligjshme. Aspekti ka qenë publikimi i listës së pronave komunale, miratimi paraprak i listës së veçantë të pronave komunale dhe negocimi i ofertës me Sunny Hill”, ka theksuar Rama.

Drejtoresha për Pronë, Doruntina Maloku, ka thëne se si qeverisje e re e kanë gjetur si proces të hapur çështjen e “Sunny Hill”.

“Si Qeverisje e re e kemi gjetë një proces të hapur  në lidhje me “Sunny Hill”. Në 14 qeshor 2021 Kuvendi i Prishtinë në unanimitet ka vendosë pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për “Sunny Hill”, për 99 vite. Ashtu siç e do rendi dhe procedura ligjore ka shkuar lënda në MAPL për vlerësim të ligjshmërisë dhe vitin e kaluar e kthyer çështjen në komunë dhe ka kërkuar plotësim ndryshimin e vendimit me tri kritere të cilat u përmendën nga kryetari”, ka thënë Maloku.

Pasditen e së martës është bërë e ditur se festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Prishtinë por se do të bartet në Tiranë.

Ky festival që planifikohej të mbahej nga 4 deri më 7 gusht të këtij viti në një pronë prej 17 hektarë në periferi të kryeqytetit, është anuluar..

Për zhvendosjen e festivalit për në kryeqytetin shqiptar, institucionet kosovare po ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama fajin po e drejton te Qeveria, për vonesat në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit që ishte nxjerrë me shumicë votash në Kuvendin Komunal në muajin maj.

E në anën tjetër, ekzekutivi, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila merret me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve që dalin nga kuvendi komunal e kryesisht kur në pyetje janë pronat, po thotë se ‘nuk bëhet fjalë për anulim’ por i kanë dërguar disa kërkesa e sqarime.

E i lumtur nga ky vendim u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për faktin që festivali do të mbahet në Tiranë.

“S’ka si Tirona, jo”, shkroi kryeministri Rama.