Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Edi Rama për zhvendosjen e festivalit 'Sunny Hill': S’ka si Tirona, jo

Kryeministri shqiptar, Edi Rama i është gëzuar lajmit që festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Tiranë këtë vit.

“Lajmi i mirë. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre S’ka si Tirona jo”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë.

Festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Visar Breznica, i cili është pjesë e ekipit organizativ.

Breznica ka deklaruar se në Tiranë do të mbahet më datat e parashikuara nga fillimi, 4-7 gusht.

Në muajin maj Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite. Vendimi i dërgohej Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësim.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pasi festivali “SunnyHill” nuk do të mbahet në kryeqytet.

Rama ka thënë se kjo është shkaktuar “kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë”, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Sipas tij, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.