Foto: Facebook / Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani i ndan Dua Lipës titullin 'Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës'

Presidentja Vjosa Osmani ia ka ndarë sot Dua Lipës titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës” në shenjë mirënjohje për kontributin që po jep ajo për Kosovën.

Përmes një postimin në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se ikona botërore e pop muzikës është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës.

“Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill”, ka theksuar presidentja Osmani.

Presidentja ka bërë të ditur se këngëtaren Dua Lipa, të përcjellë nga i ati Dukagjin Lipa, e ka takuar bashkë me familjen e saj.

Dukagjin dhe Dua Lipa janë organizatorë të Festivalit “Sunny Hill”, i cili po mbahet në Prishtinë.

 

Foto: Facebook / Vjosa Osmani.