Dua Lipa duke performuar në natën e parë të "Sunny Hill Festival"2022. Foto:Emirjeta Vllahiu/BIRN

‘Sunny Hill’ - urë lidhëse mes Kosovës dhe botës

4 netët e 4 – 7 gushtit, Parku i Gërmisë u bë “shtëpia” e festivalit “Sunny Hill”, që solli në kryeqytet mbi 40 artistë vendor e ndërkombëtarë.

“SunnyHill” ka sjellë në Kosovë si pjesë të audiencës edhe qindra të rinj nga ana e mbanë botës, derisa bashkëthemeluesi i këtij festivali, Dukagjin Lipa tregoi se këtë edicioni janë shitur mbi 25 mijë bileta.

Dua Lipa duke performuar në natën e parë të “Sunny Hill Festival”2022 | Foto: KALLXO.com
Edicioni i tretë i “Sunny Hill Festival” | Foto: KALLXO.com
Edicioni i tretë i “Sunny Hill Festival”  | Foto: KALLXO.com
Edicioni i tretë i “Sunny Hill Festival” në Parkun e Gërmisë | Foto: KALLXO.com

Edicioni i tretë i festivalit “SunnyHill”, u nis me kolona të gjatë të njerëzve, që prisnin gjatë natën e parë në pikat e kontrollit për të hyrë brenda hapësirës ku po mbahej organizimi.

Kolona e njerëzve duke pritur në rend në natën e parë të “Sunny Hill Festival” 2022 | Foto: KALLXO.com

Për dikë, problem ishin pritjet e gjata, e për dikë tjetër, problemi ishte mungesa e valëve telefonike dhe internetit.

Donika Zhaku, që kishe shkuar në festival bashkë me një grup të shoqërisë së saj, thotë se munga e internetit dhe valëve telefonike i kishte shkaktuar problem për t’i gjetur ata.

“Ishte vërtetë e vështirë të qëndroja në kontakt me anëtarët e shoqërisë time pasi u ndava nga ta. Nuk kishte qasje në internet dhe asnjë nga operatorët celularë nuk funksiononte, kjo gjë nuk na linte pothuajse asnjë mënyrë për të kontaktuar njëri-tjetrin” – thotë Donika Zhaku për KALLXO.com.

Një tjetër pjesë jo fort e mirë e festivalit për të ishin edhe mbeturinat e shpërndara nëpër tokë gjatë natës së parë.

“Në përgjithësi, mendoj se ishte një ngjarje e bukur, i vetmi problem i vërtetë që pashë ishte sasia e mbeturinave që hidheshin në tokë. Nuk mund të bëje as një hap pa shkelur në ndonjë mbeturinë”- thotë Zhaku, cila pohonte se pavarësisht këtyre detajeve, ky festival, si eksperiencë e re për të kishte qenë mbresëlënës.

Bërlloku në natën e parë të “Sunny Hill Festival” në Gërmi. FOTO: BIRN

“Kam vite që dëgjoj për Festivalin ‘Sunny Hill’, por nuk kam marrë pjesë më herët, kështu që këtë vit ajo që më shtyu të marrë pjesë ishte presioni nga ana e shoqërisë sime. Ishte një eksperiencë mjaft e mrekullueshme, muzika ishte shumë e mirë dhe atmosfera e bëri atë edhe më të mirë” – u shpreh ajo.

Në mesin e mijëra mysafirëve të këtij festivali, nuk ishte i vogël as numri i publikut që vinin nga jashtë Kosovës.

Një nga to është edhe Maram Enlagheeb, me prejardhje nga Amerika por që jeton dhe punon që disa muaj në Kosovë.

“Unë jam nga Karolina e Veriut, por kam njëmbëdhjetë muaj që jetoj në Kosovë, jam në një program të shkëmbimit të punës… Gjatë qëndrimit tim këtu dëgjova për Sunny Hill Festival”- shpjegon ajo.

Për Enlagheeb mos njohja e gjuhës shqipe nuk ishte pengesë që asaj t’i pëlqejë muzika e artistëve lokal.

“Mua po më pëlqen shumë muzika këtu, më pëlqejnë shumë këta artistë, edhe pse nuk di shqip e dua muzikën shqiptare dhe jam e emocionuar për performuesit…” – u shpreh ajo.

Një tjetër vizitore ndërkombëtare ishte edhe Kitty nga Britania e Madhe e cila po ashtu kishte ardhur në Kosovë për të punuar përkohësisht.

Edhe për Kittyn, ishte shoqëria e sa në Kosovë, që e njoftoi me këtë festival.

“Të gjithë kolegët e mi janë nga Kosova, kështu që ata më thanë se – ‘Nëse je këtu gjatë verës, duhet të vish në Sunny Hill’ dhe ja ku jam” – rrëfen ajo.

Sipas Kittyt, ky festival ishte i mirë, ani pse pak kaotik.

“Është mirë, mendoj se çdo festival është pak i ç’organizuar dhe pak kaotik, por është vetëm një pjesë e sharmit të festivalit, sa i përket çmimeve, mendoj se janë të shtrenjta për Kosovën, por kjo është e pritshme sepse është një festival” – tha ajo për KALLXO.com.

“Më lë të lirë”

Në këtë edicion, organizatorët i kushtuan rëndësi edhe faktit që të kosovarët nuk kanë liberalizim të vizave.

Kështu, përmes byzylykëve të cilët në gjuhën angleze përcillnin thirrjet “Më lë të lirë” dhe “Kosovë Pa Viza”, i bëhej thirrje Bashkimit Evropian që qytetarëve nga Kosova t’i jepej mundësia e lëvizjes së lirë.

Byzylykët “Set Me Free” në edicionin e tretë të “Sunny Hill Festival”. | Foto: KALLXO.com
Mbishkrimi “Set Me Free” në edicionin e tretë të “Sunny Hill Festival”

Për shtetasen franceze Alicia Soulake, kjo fushatë ishte një mënyre kreative për t’i treguar botës për pamundësinë që kanë shtetasit e Kosovës për t’i vizituar vendet nëpër Evropë dhe përtej dhe për të apeluar për qëllimin që ata synojnë ta arrijnë.

Alicia Soulake |Foto: KALLXO.com

Ajo vet pohon se informatat e saja për Kosovën para ardhjes së saj, kishin qenë të pakta dhe të mbushura me dilema se si mund të trajtohej ajo në Kosovë si njeri me ngjyrë.

“Nuk kam pasur shumë mendime për këtë shtet para se të vija këtu, thjesht mbaj mend se e dija që këtu nuk ka shumë njerëz me ngjyrë dhe isha pak në dyshime se si mund të reagojnë njerëzit, mirëpo prej që kam ardhur më duket mirë” – thotë ajo.

Kështu, për Alicia-n, “Sunny Hill Festival” kishte qenë arsyeja që e kishte shtyrë atë që nga Franca të merrte rrugën për në Kosovë.

“Për Sunny Hillin kam marrë vesh përmes shoqeve të mia nga Kosova. Është hera e parë që vij në këtë festival. Më duket shumë mirë, më pëlqejnë artistët, më pëlqen atmosfera. Dua Lipa dhe Skepta janë ndër performuesit që më kanë pëlqyer më së shumti”- është shprehur Soulake për KALLXO.com.

Si të rëndësishme nismën për të lobuar për liberalizim të vizave, e ka parë edhe Donika Zhaku, e cila fëmijërinë e saj së bashku me prindërit e ka kaluar në SHBA, me ç’rast asaj edhe nuk i duhet vizë për të udhëtuar në shumicën e vendeve të botës pasi ajo posedon pasaportë amerikane.

Mirëpo, Donika shprehet se për të është e paimagjinueshme që shoqëria e saj në Kosovë duhet të kalojë nëpër një sërë procedurash që të udhëtojnë nëpër Evropë dhe më tej.

“Si një person që nuk ka nevojë për vizë për të hyrë pothuajse në çdo shtet, është e vështirë të imagjinohet se jemi ende në një moment kohor ku disa nuk lejohen të udhëtojnë lirshëm. Mendoj se festivali ishte një vend i mirë për këtë mesazh pasi Dua Lipa ka një numër të madh ndjekësish dhe kjo lejon që mesazhi i saj të shkojë edhe më tej” – ka thënë ajo.

Katër netët e “SunnyHill” me përplot emocione, thirrje, eksperienca dhe argëtim

Në mesin e performuesve të natës së parë ishin artistët: Yll Limani, Kida, Sytë, Sancet, Jimpong & Friends, Art Lokaj dhe Eros, Sahati Galoski dhe Elvana Gjata.

Si çdo edicion, edhe i sivjetshmi kishte në qendër Dua Lipën, këngëtaren nga Kosova me famë botërore, performanca e së cilës ishte përmbyllja e natës hapëse.

Bashkë me ekipin e saj të valltarëve, Lipa pushtoi skenën kosovare për plot një orë e gjysmë duke kënduar hitet e saja të cilat njëkohësisht shoqëroheshin edhe me koreografi.

26 vjeçarja, jo rrallë herë e shfrytëzonte pushimin mes këngëve apo refreneve për ta shprehur para publikut mirënjohjen për Kosovën – vendin nga ajo vjen dhe për të falënderuar fansat e saj për përkrahjen që i ofronin.

“Faleminderit “Sunny Hill” për këto kujtime, për këto emocione të jashtëzakonshme. Është një ëndërr e madhe për mua që po mund ta bëj këtë së bashku me familjen time, me shokët e mi, me krejt këta njerëz që i kam këtu, faleminderit shumë prej juve që po e bëni këtë natë kaq shumë speciale”- ishte falënderimi i Duas që u tha në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht.

Mes emocionesh ajo shprehu falënderime edhe ndaj ekipit së saj dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në organizimin e kësaj ngjarje.

Pas performancës së Lipës, nata e parë e kësaj ngjarje kulturore zgjati deri në orët e para të mëngjesit, duke vazhduar kështu me “after party”.

Edhe nata e dytë u pasua me laramani artistësh e emocionesh. Titullari i kësaj nate ishte solisti kolumbian J Balvin, i njohur kryesisht për zhanrin “Reggaeton”, i cili gjatë kohës së tij në skenë valëviti flamurin e Kosovës.

J Balvin duke mbajtur flamurin e Kosovës në Sunny Hill 2022 | Foto:Sunny Hill Festival/ Instagram

Mbresat e tij nga performanca në Kosovë Balvin u kujdes t’i shprehte edhe përmes profilit tw tij nw Instagram.

“Kosovë, vizioni im ka qenë gjithmonë të arrija vende në çdo cep të botës, ku nuk ishte prezentë muzika jonw latine. Të gjithë ecin ndryshe. Banda latine. Duajeni Kosovën” – kishte shkruar J Balvin në Instagram.

Ndërkaq, në natën e tretë, titullar ishte reperi britaniko-nigerian Joseph Olaitan Adenuga Jr, i njohur me emrin skenik Skepta.

Në mesin e performuesve të tjerë ishin edhe artistë shqiptarë. Ndër ta ishin edhe dyshja MC Kresha dhe Lyrical Son si dhe dyshja Ledri Vula dhe Lumi B.

Nata e fundit, 7 gushti u kurorëzua me atmosferën që solli DJ-në amerikan Diplo.

Të emocionuar për performancën e tij ishin edhe kosovarët Alba Avdullahu dhe vëllai i saj Arian Avdullahu të cilët jetojnë në Itali.

Ata thanë për KALLXO.com se kishin ardhur nga Italia për të ndjekur Sunny Hill-in.

Alba Avdullahu dhe Arian Avdullahu në “Sunny Hill Festival” 2022 | Foto: BIRN.

Sipas Albës, ky festival është një mundësi ideale për t’i treguar botës potencialin dhe vlerat që bart Kosova.

“Sunny Hill është një mundësi e mrekullueshme për t’i treguar botës se sa të mahnitshëm mund të jemi. Gjatë këtij edicioni po kalojmë kohën e jetës sonë, është një eksperiencë kaq argëtuese. Mendoj se Evropa duhet të punojë që t’i lërë njerëzit nga Kosova të lulëzojnë” – tha Alba për KALLXO.com

Ndërsa, vëllai i saj, Ariani, tha se Kosova meriton të jetë destinacion i më shumë vizitorëve ndërkombëtarë.

“Njerëzit në Kosovë janë të mrekullueshëm, janë miqësorë dhe mikpritës, Kosova është një vend i nënvlerësuar në Evropë. Unë u kam treguar miqve të mi për Kosovën dhe ata duan të vijnë në Kosovë, vitin e ardhshëm po planifikojmë t’i sjellim ata këtu” – u shpreh Ariani.

Në mesin e audiencës shqiptare ishte edhe Natalia Dhimplai që kishte ardhur nga Tirana.

Ani pse tha se po e shijonte këtë edicion, Dhimpali pohonte se kishte pasur pritshmëri më të larta për këtë vit.

“Për herë të parë kam qenë në 2019-tën në “Sunny Hill”, me të thënë të drejtën i kisha pritshmëritë shumë të larta për këtë vit por la pak për të dëshiruar sepse kapaciteti i vendit është pak i vogël për kaq sa kanë ardhur, megjithatë po kalojmë mirë” – tha ajo.

Natalia Dhimpali në “Sunny Hill Festival” 2022. FOTO: BIRN.

Pavarësisht se këtë vit “Sunny Hill Festival” do të mbahet edhe në Tiranë, sipas Natalisë lezeti i kësaj ngjarje kulturore është në Prishtinë.

“Lezeti i Sunny Hill-it është në Prishtinë dhe nuk besoj se do të bëhet aq bukur në Tiranë dhe gjithsesi ne i kishim prerë biletat për këtu që përpara dhe u gëzuam kur u mbajt në Prishtinë” – përmbylli Dhimpali.

Mirënjohja nga të parët e shtetit

Falenderime dhe mirënjohje për reprezentimin e Kosovës në sytë e botës, Dua Lipa morri edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e shtetit i ndau pop artistes titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës” në shenjë mirënjohje për kontributin që po jep ajo për Kosovën.

Përmes një postimin në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se Dua Lipa është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës.

Falenderime për ikonën botërore të muzikës pop pati edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili të dielën e 7 gushtit e priti në takim Lipën dhe e falënderoi atë për organizimin e ‘Sunny Hill Festival’ në Prishtinë.

Edicioni i parë i këtij festivali u zhvillua në vitin 2018 në Parkun e Gërmisë. Në po të njëjtin vend është mbajtur edhe edicioni i dytë në vitin 2019. Kurse, ky festival nuk është mbajtur përgjatë viteve 2020 dhe 2021 si pasojë e gjendjes me pandeminë COVID-19.

Ndërkaq, më 14 qershor 2022 u tha zyrtarisht se festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Mirëpo, disa ditë më pas, përmes një deklaratë të përbashkët të Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival u bë e ditur se Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Nga po kjo deklaratë është bërë e ditur se një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë përgjatë datave 26, 27 dhe 28 gusht.