Festivali Sunny Hill në Prishtinë. Foto nga kortezia e Festivalit Sunny Hill në Facebook.

‘Evropë, na liro’

Të rinjtë kosovarë, dëshirën e tyre për të ‘lëvizur’ të lirë më mirë e shprehnin me gjuhën e trupit, se sa me fjalë. Në festivalin ‘Sunny Hill’, nën tingujt e muzikës së këngëtarëve botërorë, lëvizjet e kërcimit të mijëra të rinjve përgjatë katër netëve festival, shpërfaqën nevojën dhe dëshirën e tyre për lëvizje të lirë nëpër botë – liberalizimin e vizave.

Për herë të parë të rinjtë kosovarë kënduan këngën ‘Mi Gente’ në njëzëri me këngëtarin kolumbian J Balvin në festivalin ‘Sunny Hill’ në Parkun Gërmia në Prishtinë. Edhe pse kosovarët nuk kanë viza për të shkuar në një festival të madh muzikor ku këndon artisti i tyre i preferuar, ata po mbajnë lidhje me botën vetëm përmes ‘syrit virtual’.

Këtë shkëputje nga bota kulturore, dhe jo vetëm, kosovarëve po ua pamundëson mungesa e liberalizimit të vizave. Këtë izolim më së keqti po e përjetojnë rinia, të cilës përpos që iu vështirësohet shkollimi në shtetet tjera, po iu cenohet edhe e drejta për të dëgjuar muzikën e tyre të preferuar nëpër koncerte e festivale ndërkombëtare.

Ata duan të ndjehen të lirë sikurse vallëzojnë

Me sytë të mbuluar me xixa dhe makeup që ngjason me protagonisten e serialit Euphoria, Zendaya, të rinjtë kosovarë me veshje festivalesh ngjasonin me audiencën e festivalit Glastonbury në Angli dhe Coachella në Kaliforni, në të cilët asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë të marrin pjesë. 

Gjuha e tyre e trupit përgjatë vallëzimit, shoqërimi me të moshatarë të kulturave tjera, veshja, grimi, efekti që shkaktonte muzika e trendit të ri të muzikës tek ta e shpërfaqte qartë nevojën dhe dëshirën e të rinjve për integrim në botë. E si ndryshe përpos liberalizimit të vizave?

Foto: Festivali Sunny Hill në Facebook

Krahas dëshirës së madhe për të shkelur vende tjera të botës, të rinjtë hezitonin të rikërkonin publikisht liberalizimin e vizave, që sipas tyre ‘është e kotë të flasësh kur Evropa nuk të dëgjon’. Sipas tyre, izolimi po u shkakton shumë pasoja, duke ua pamundësuar integrimin dhe ia cenuar jetën kulturore.

Këtë vit Festivali Sunny Hill kishte vendosur moton SetUsFree si kërkesë ndaj Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën– kërkesë që u bë edhe nga audienca që mbanin nga një byzylykë me këtë moto në duar dhe nga këngëtarët që dolën në skenë.

Mallin për skenën ndërkombëtare po ua shuan sadopak festivali ‘Sunny Hill’ në të cilin përpos kosovarëve, ka interesim të madh edhe nga të rinjtë e vendeve tjera të botës, të cilët ndryshe nga rinia në Kosovë, ata e kanë mundësinë të ndjekin aktivitete kulturore në secilin shtet që gjendet në hartë.

Ëndrra e Altin Nezirit nga Peja është që një ditë të marrë pjesë në festivalin e madh ndërkombëtar të muzikës Tomorrowland në Belgjikë. Por, një vizë që Evropa nuk po ia siguron ka bërë që ai në 20 vitet e tij jetë të vizitojë vetëm dy vende fqinje, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Ndjehem shumë i përjashtuar prej jetës kulturore veç pse nuk kam vizë. Dua të shoh vende tjera të njoh kultura të reja. Unë kam qenë vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi. Por, kam qef me shku në Holandë dhe në Britani të Madhe” – tha ai.

Për Altinin është hera e parë që po merr pjesë në një festival të madh të muzikës. Ai gjithmonë ka pasur dëshirë që të shkoj në një koncert të Dua Lipës, por mungesa e një vize e ka kurthuar brenda Kosovës. Pasi që Dua Lipën, Neziri e dëgjoi në Sunny Hill, ai shpreson që të liberalizohen vizat e të dëgjoj edhe këngëtaren e tij të preferuar Taylor Swift.

“Është shumë ndjenjë e mirë me ardhë në këtë festival se kemi pas mundësi me u integru në shoqëri, edhe me pa njerëz të ri të shteteve tjera” – shtoi ai.

Të rinjtë përpos që dinin përmendsh këngët e Elvana Gjatës, PINTA-ve, Dhurata Dorës e Yll Limanit, njëzëri këndonin këngët kolumbisht të J Balvin, ato italisht të Mahmood, e anglisht të AJ Tracey e Skepta.

Për 22 vjeçaren Fjolla Gashi, Sunny Hill është një ‘ngushëllim’ për dëshirat që nuk po arrijnë t’i poltësojnë nëpër botë.

“Organizime si ky i Sunny Hillit na bojnë me u “ngushëllu” sado pak, ama në të njëjtën kohë na kujton që “this is all we got” (kjo është gjithçka që kemi), e duhemi me u mjaftu me kaq, të paktën edhe për shumë kohë” – u shpreh ajo e dëshpëruar.

Edhe Fjolla nëse do të kishte vizë do të donte të ndiqte festivalin e saj të ëndërrave Tomorrowland. Kjo është hera e parë për të që është pjesë e audiencës së një festivali të skenave ndërkombëtare. E reja nuk ka udhëtuar asnjëherë jashtë Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Bashkë me mua janë të izoluar edhe dhjetëra mijëra të rinj në Kosovë e më vjen keq që moshën më të bukur të jetës po e kalojmë pa pasë mundësi me shku më larg se Shqipëria, Mali i Zi a Maqedonia” – tha ajo.

Mbrëmjet e errëta në Parkun e Gërmisë i kishin zdritur ngjyrat fosforeshente të skenave të përmasave botërore, të cilat kishin audiencë të shteteve të ndryshme. Në këtë edicion të festivalit ‘Sunny Hill’, rinia kosovare pati mundësinë që për katër netë deri në orët e para të mëngjesit të përjetojë skenën botërore të muzikës me këngëtarët Dua Lipa, J Balvin, AJ Tracey, Mahmood, Skepta e DJ Regard, Diplo, Skepta etj.

Një e re kosovare që jeton dhe studion në Belgjikë kërkoi që vendit të saj t’i liberalizohen vizat sa më shpejt që është e mundur. Edhe pse vet ka vizë, ajo shprehu dëshpërimin që moshatarët e saj nuk mund të përjetojnë kënaqësinë e lëvizjes nëpër botë.

“Nëse Kosovës i bëhen vizat, atëherë shokët e familjarët e mi kishin ardh tek ne për me përcjell festivale që duan, por mund t’i shohin vetëm përmes ekranit” – tha ajo.

Taulant Berishës nisma e Sunny Hill-it, SetMeFree i ka pëlqyer shumë për faktin që Dua Lipën e konsideron si ambasadoren më të mirë të Kosovës në botë, që përmes saj mund të dëgjohet zëri i rinisë kosovare nëpër botë.

“Mezi e pres atë ditë kur një vizë ka me ma ndryshu jetën. Unë çuditna se si nuk i dhimbsemi Evropës me na lanë të vetmen rini të mbyllur, pa kurrfarë mundësie” – thotë ai.

Sipas tij, vetë zvarritja për liberalizim të vizave po i detyron që të gjejnë forma tjera të lëvizjes, qoftë me viza pune apo ilegale. Ai thotë që pavarësisht sa rinia e donë Kosovën, secili ndien dëshirën me ndjek festivale dhe aktivitete tjera kulturore edhe në vende tjera.

“Një festival i tillë si Sunny Hill e tregon më së miri nevojën tonë për me lëvizë. Veç shihe çfarë energjie kemi aftësi me shkarku gjatë katër netëve vetëm pse një festival aq multikulturor mbahet tek ne” – shtoi ai.

Nga 25 mijë bileta të blera për festivalin e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa, shumica dërrmuese ishin të rinj të cilët kishin ardhur të dëgjojnë drejtpërdrejt këngëtarët që nuk mund t’i dëgjojnë jashtë Kosovës — as edhe vetë këngëtaren Lipa. 

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë, ku qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave. Këtë zvarritje qytetarët e Kosovës e përjetojnë që nga viti 2011.