Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përparim Rama: Dështimi i 'Sunny Hill' është humbje për gjithë Kosovën

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pasi festivali “SunnyHill” nuk do të mbahet në kryeqytet.

Rama ka thënë se kjo është shkaktuar “kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë”, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Sipas tij, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit. Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka thënë tutje Rama.

Festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë. Gjithashtu do te mbahet në 4 deri më 7 gusht atje.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar.

Në muajin maj Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite. Vendimi i dërgohej Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësim.

Në anën tjetër, themeluesi dhe organizatori i “SunnyHill”, Dukagjin Lipa e ka publikuar letrën qe ia ka dërguar institucioneve kosovare.

“Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, thuhet në letren e Dukagjin Lipës.

Anulohet festivali ‘Sunny Hill’, nuk do të mbahet në Prishtinë