Rama: Kosova ka hyrë në një cikël të rrezikshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Kosova tash e disa vite ka hyrë në një cikël të rrezikshëm, duke shtuar se po e bënë politikën e brendshme politikë të jashtme dhe anasjelltas.

Duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”, Rama ka shtuar se pajtohet që Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkërendojnë qasjen, por që sipas tij nuk mund të ndërhyjnë në vendimet e njëra-tjetrës për politikën e jashtme.

“Mendoj që Kosova ka hyrë në një cikël shumë të rrezikshëm, prej disa vitesh duke e bërë politikën e brendshme politikë të jashtme dhe të jashtmen politikë të brendshme. Dhe faktikisht as e ka penguar Serbinë që të vazhdojë me zhvillimet e veta, as e çon përpara kauzën e vetë duke i bërë gjithmonë e më nervozë partnerët ndërkombëtarë”, tha Rama në Emisionin “Opinion” në TV Klan në Shqipëri.

Sipas tij, Shqipëria është sovrane në politikën e vetë të jashtme.

“Natyrisht që është e udhës që të bashkërendojnë qasjen. Unë mendoj që ne e fitojmë luftën diplomatike me një qasje strategjike si kjo që ka Shqipëria. Albini [Albin Kurti] nuk mendon kështu. Atëherë është sovran të vendosi për Kosovën, por nuk vendos dot për Shqipërinë. Në Kosovë, jo sot, por prej vitesh është bërë politika e jashtme politikë e brendshme. Për të marrë vota brenda bëhej lufta imagjinare si lufta me tarifën 100%”, tha kryeministri shqiptar.

Rama shtoi se është dakord që Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

“Patjetër që ka pasur gjak {lufta në Kosovë] për  atë gjak duhet kërkuar falje, jam 100 për qind dakord. Çështja është si e bëjmë ne Serbinë të kërkojë falje”.

Ai ka shtuar se dialogu me Serbinë është jashtëzakonisht i vështirë.

“Por atmosfera e cila duhet ta rrethojë dialogun nuk mund të jetë një atmosferë barrikadash. Nuk funksionin. Unë mendoj që Serbia duhet të kërkojë falje dhe Serbinë mund ta çojmë te kërkimi i faljes, por duhet të jemi strategjikë dhe të bëjmë politikë jo të luajmë luftash sepse nuk kemi çfarë fitojmë”.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë konsideruar të rrezikshme nismën e shpalosur në muajin korrik në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këta të fundit e zyrtarizuan emrin e ri të një ideje që ishte proklamuar vitet e fundit si “Mini-shengeni Ballkanik”, tash në “Open Balkan”.

Zaev, Rama e Vuçiq nënshkruan disa marrëveshje, për të cilat thanë se kanë në fokus zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Në Kosovë kundërshtohet fort nisma “Open Balkan”