Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë një takimi në Novi Sad në tetor të vitit 2019.

Në Kosovë kundërshtohet fort nisma “Open Balkan”

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e konsiderojnë të rrezikshme nismën e shpalosur të enjten në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këta të fundit e zyrtarizuan emrin e ri të një ideje që ishte proklamuar vitet e fundit si “Mini-shengeni Ballkanik”, tash në “Open Balkan”.

Zaev, Rama e Vuçiq nënshkruan disa marrëveshje, për të cilat thanë se kanë në fokus zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Por përveç Kosovës as Mali e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina, nuk u bënë pjesë e kësaj nisme.

Nga Shkupi nikoqirët e “Open Balkan” bënë thirrje që rajoni të mos mbetet peng i së kaluarës, ndonëse mes çështjeve të pazgjidhura mbetet raporti mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Kosova është kritikuar kjo qasje duke marrë parasysh realitetin e luftës së fundit dhe kryerjen e krimeve nga forcat serbe si edhe kundërshtimin e shtetit serb që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Gërvalla: Nismën “Ballkani i Hapur” e konsiderojmë të rrezikshme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se Kosova e  konsideron të rrezikshme iniciativën e shpalosur dje në Shkup.

Në një konferencë për media, gjatë një vizitë zyrtare në Shkup të premten, Gërvalla ka thënë se nga nisma në fjalë, krijohet përshtypja e përçohet mesazhi sikur ka alternativë ndaj rrugës së përbashkët si rajon drejt Bashkimit Evropian.

“Si Republikë e Kosovës iniciativën e Novi Sadit në ndërkohë të Mini-shengenit, që nga dita e djeshme të Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme? Sepse krijohet përshtypja e përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së dhe përçimi i këtij mesazhi, ne konsiderojmë që është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin në ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, tha ajo.

Kryediplomatja kosovare ka shtuar se rajoni tashmë ka nismën e tij i cili është Procesi i Berlinit.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit, procesi quhet Procesi Berlinit, aty kemi disa vite që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat prekin të gjithë qytetarët tanë”, shtoi ajo.

Në këtë iniciativë, siç thotë ministrja, Republika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit.

“…dhe ne konsiderojmë që hapja e iniciativave paralele të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim veten në rajon, por edhe si shihemi nga BE-ja. Është përshtypja ime që kjo iniciativë, për të cilën shtrohet pyetja ndaj kujt vë pikëpyetje edhe rreth cilave përcaktime gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë, jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, tha Gërvalla.

Qëndrimi i LDK-së për “Open Balkan”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kryetari i saj Lumir Abdixhiku kanë dalë me një qëndrim rreth nismës rajonale “Open Balkan”.

Sipas LDK-së, integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit.

“Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të forta. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’. Njohja para bashkëpunimit pa kufij!”, thuhet në qëndrimin e kësaj partie.

LDK-ja ka një porosi edhe për Shqipërinë sa i përket këtij procesi.

“‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri”, thekson mes tjerash LDK-ja.

Kjo parti opozitare ka shtuar se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve.

“Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, theksoi LDK-ja e Lumir Abdixhikut.

KMDLNj: Po bashkëpunimit rajonal, pasi të sqarohet e kaluara

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar për nismën që u shpalos në Shkup “Ballkani i Hapur” nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në Forumin Ekonomik për bashkëpunim rajonal, të tre udhëheqësit e shteteve thanë se kaluara duhet lënë mbrapa dhe duhet shikohet nga e ardhmja e rajonit. Kurse, KMDLNj në Kosovë ka theksuar se bashkëpunimi rajonal duhet të bëhet pasi të sqarohet e kaluara.

Këshilli ka shtuar se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për një kohë të gjatë janë përfituese të liberalizimit të vizave, madje kanë bërë hapa të mëdhenj drejt avancimit të proceseve integruese.

“…në kohën kur Kosovës, krejtësisht padrejtësisht i mohohet njëra ndër të drejtat elementare të njeriut e që konsiderohet si vlerë e shtuar nga BE, liria e lëvizjes, e cila është e pamundur për faktin se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk i janë liberalizuar vizat, ndonëse i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike por duket se kjo në heshtje po kushtëzohet me arritjen e një marrëveshjeje politike me Serbinë e që nuk po thuhet publikisht”, thekson KMDLNj.

Sipas këtij Këshilli, Republika e Kosovës ka pësuar shumë në luftën e fundit prandaj e ka të pamundur ta tejkalojë këtë çështje pa u sqaruar e kaluara.

“Serbia me kokëfortësi dhe arrogancë po refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, nuk dëshiron ta pranojë përgjegjësinë dhe fajësinë shumë konkrete për krimet e kryera në Kosovë: krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, deri në gjenocid”, thuhet mes tjerash në reagim.

Jusuf Buxhovi: Marrëveshje antihistorike 

Historiani Jusuf Buxhovi e quan antihistorike marrëveshjen e Shkupit të nënshkruar të enjten midis presidentit të Serbisë, Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe kryeministrit të  Maqedonisë së Veriut, Zaev.

Në një intervistë të shkurtër për KALLXO.com, Buxhovi ka theksuar mes tjerash se nismat e tilla, nuk mund të kenë kurrfarë të ardhme dhe se kjo nismë është e dëmshme dhe e rrezikshme njëherësh.

Buxhovi në këtë intervistë ka komentuar edhe qëndrimet në një linjë të kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se e kaluara duhet lënë mbrapa dhe se duhet shikuar nga e ardhmja.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Imer Mushkolaj ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndërtohet pa e marrë Serbia përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë dhe pa e njohur Kosovën e pavarur.

Sipas tij, presidenti serb Vuçiq “nuk mund të shkelë mbi kufoma”.

“Bashkëpunimi rajonal nuk mund të ndërtohet pa e marrë Serbia përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, pa e njohur Kosovën e pavarur. Vuçiq nuk mund të shkelë mbi kufoma, të bëjë thirrje për të harruar të kaluarën, ndërkohë që bën çmos për ta dëmtuar shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.