Ukraina, Foto: Presidenca ukrainase

Rama bisedon në telefon me presidentin Zelensky, i uron triumf ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Zelensky ka shkruar në Twitter se me Ramën diskutuan rreth luftës dhe punës së përbashkët me Kombet e Bashkuara.

Ai ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen në këto kohë të vështira.

“Pata një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. #StopRusia”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

Në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa pjesë nga biseda telefonike me Zelenskyn.

Në bisedë Rama uron Zelenskyn që të triumfojë në këtë luftë.

“Nuk dua ta përsëris atë se çka po thotë bota për ju, por dua të them se do të doja të bëja më shumë për ju dhe popullin tuaj, por uroj të triumfoni”, është deklaruar Rama.

Sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë nisur me 24 shkurt, ndërsa sot është dita e dhjetë e këtyre sulmeve. Teksa Rusia është duke tentuar të pushtojë Ukrainën, po përballet me rezistencë të fortë nga ukrainasit.