Rahovec, faqja e Facebook-ut publikon listën me emra të pacientëve me COVID-19, cënohen të dhënat personale

Mbrëmë në faqen e Facebook-ut të portalit “ Rahoveci Online “  është postuar dhe shpërndarë një listë e cila përmban të gjithë emrat e personave nga Rahoveci që janë testuar për COVID-19 me datë 25.04.2020.

Rahoveci  deri më sot ka 17 raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa më 25 prill u shfaq numri më i madh i rasteve në këtë komunë, në total 14 raste pozitive.

Lista e publikuar nga kjo faqe e Facebook-ut  ka të dhënat personale të personave të testuar dhe rezultatet e testimit, ndërsa disa minuta pas publikimit kjo listë është larguar nga kjo faqe.

KALLXO.com nuk ka arritur të gjejë webfaqe të portalit në fjalë, vetëm faqe në Facebook ku bëhen postime të ndryshme në formë të lajmeve.

KALLXO.com ka kontaktuar me faqen e cila ka publikuar këtë listë, dhe të njëjtit kanë thënë se postimi ka qenë i gabimshëm.

“Ka ndodhë krejt gabimisht dhe e kemi fshirë atë postimin brenda 2-3 minutave “, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të njëjtit nuk janë përgjigjur për formën se si kanë pranuar këtë listë.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale garanton mbrojtjen e identitetit të personave, dhe të dhënave personale të pacientëve lidhur me shëndetin fizik, duke përfshirë dhënin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që tregon informacion në lidhje me gjendjen e tij ose të saj shëndetësore.

Në raportimet që ka pranuar KALLXO.com, shihet një listë e cila përmban emrat e personave të testuar për COVID-19, kjo listë gjithashtu përmban shënime tjera si vendbanimi dhe ku janë marrë mostrat për testim, ndërsa në fund ka rezultatin e testimit për secilin person veç e veç.

Publikimi i kësaj liste me të dhënat tjera parqet shkelje të dhënave personale të mbrojtura me Kushtetutë dhe Ligjin për mbrojtën e të dhënave personale.

KALLXO.com ditë më parë ka publikuar një analizë ku përshkruhen dënimet që mund të pasojnë nga shkelja e privatësisë në këto raste.

Ndërsa, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka publikuar një listë me rekomandime për gazetarët për mënyrën e raportimit lidhur me pandeminë.

Drejtori i Shëndetësisë në Rahovec Samir Mustafa për KALLXO.com ka sqaruar se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet e-mail e njofton kryesuesin e shtabit të emergjencave pra kryetarin e Komunës për rezultatet e testimeve dhe njoftime tjera me rëndësi.

I njëjti gjithashtu tha se me të pranuar informatën se një portal lokal ka publikuar një listë të tillë, kanë raportuar rastin në Polici dhe ai publikim është larguar.

Drejtori mohon që një listë e tillë mund të ketë dalur nga institucionet lokale të Komunës ndërsa tha se i mbetet organeve të drejtësisë Policisë dhe Prokurorisë që të merren me rastin dhe të kuptohet se ajo listë si ka arritur të publikohet.

“ Menjëherë e kemi lajmëruar rastin, Prokuroria dhe Policia besoj që po merren me rastin dhe personat përgjegjës ët portalit duhet të japin sqarime, por jo listë nuk është prej e-mail zyrtar të Komunës, dhe unë vet si drejtor menjëherë kam reaguar për rastin në fjalë” tha drejtori Mustafa.

Ai e cilëson si shkelje flagrante dhe e rëndë dhe se vet personalisht drejtori e ka raportuar rastin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Nysret Gjurkaj për të pyetur se a kanë pranuar një raportim të tillë, por i njëjti tha se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë nuk ka pranuar një rast të tillë.

Me datë 16 mars në Rahovec është formuar shtabi i posaçëm i emergjencave i cili udhëhiqet nga Kryetari i Komunës Smajl Latifi, kurse në të bëjnë pjesë: Kryesuesi i KK, drejtorët komunal, drejtori i QKMF-së, Komandanti i Stacionit Policor në Rahovec si dhe Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve.

Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale garantojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 36 i Kushtetutës së Kosovës thotë se “Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera .“

Të dhëna personale nënkuptohen çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt, veçanërisht duke iu referuar një identifikuesi në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes,

Neni 3 pika 1.25 në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale siguron që të gjitha “të dhënat personale të ndjeshme që zbulojnë origjinën etnike ose racore, pikëpamjet politike ose filozofike, përkatësinë fetare, anëtarësimin në sindikatë ose çdo e dhënë për gjendjen shëndetësore ose jetën seksuale” janë të mbrojtura me ligje dhe nuk mund të bëhen publike.

Dje gjatë ditës nga Rahoveci janë marrë 40 mostra për testim për COVID-19, ndërsa të gjitha kanë rezultuar negativ.

Nga 40 mostra të marra në Rahovec, asnjë pozitiv me COVID-19

Ditë më parë OJQ-të kishin reaguar ndaj Komunës së Prizrenit dhe Fushë Kosovës në lidhje publikimin e përkatësisë etnike të të prekurve me COVID-19 nga radhët e komuniteteve joshumicë.

OJQ i reagon Komunës së Prizrenit dhe asaj të Fushë-Kosovës për publikim të përkatësisë etnike të të prekurve me COVID-19