Nga 40 mostra të marra në Rahovec, asnjë pozitiv me COVID-19

Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot 32 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, asnjë persona nuk është nga komuna e Rahovecit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Rahovec janë marrë 40 mostra, dhe të gjithë kanë dalë negativ.

“S’ka vend për shqetësim sepse situata është nën kontroll. Falënderoj qytetarët për lojalitetin në zbatim të vendimeve, sikurse edhe të gjithë mantel-bardhët përfshirë mjekët, infektologët, mikrobiologët, epidemiologët, biokimistët, infermierët, policinë, FSK-në dhe të gjitha institucionet emergjente që janë aktive dhe në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”, ka përfunduar Latifi.

Nga 32 personat që kanë dalë pozitiv sot, 23 raste janë nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: 14 raste Pejë, 5 raste Nakëll dhe 4 raste Bllagajë), 4 raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, 2 raste me vendbanim në Strellc i Epërm – Deçan dhe me nga 1 rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë – Suharekë dhe Shtime.

Instituti njofton se është shëruar edhe 1 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 166 raste.