OJQ i reagon Komunës së Prizrenit dhe asaj të Fushë-Kosovës për publikim të përkatësisë etnike të të prekurve me COVID-19

Organizata joqeveritare “Advancing Together” ka reaguar ndaj Komunës së Prizrenit dhe asaj të Fushë-Kosovës në lidhje publikimin e përkatësisë etnike të të prekurve me COVID-19 nga radhët e komuniteteve joshumicë.

OJQ i është referuar konferencës për shtyp të mbajtur nga Shtabi Emergjent i Komunës së Prizrenit dhe drejtori i Shëndetësisë më 15 prill, intervistës me drejtorin e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prizren, si dhe gjatë deklarimeve publike të zyrtarëve të Komunës së Fushë-Kosovës më 19 prill, kur është bërë publike përkatësia etnike e dy personave të identifikuar si pozitivë me COVID-19.

“Duke marrë parasysh praktikat e deritanishme të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët deri më sot nuk kanë bërë asnjëherë publikimin e të dhënave personale dhe të ndjeshme të personave të identifikuar si pozitiv me COVID-19, konsideroj që bërja publike e përkatësisë etnike të rasteve të testuar pozitiv me COVID-19 në Komunat tuaja përbën shkelje ligjor dhe diskriminon pakicat e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin drejtuar dy komunave.

Më tej në reagim, OJQ i është referuar Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që garantojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

“Neni 36 garanton që të gjithë qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e privatësisë. Për më tepër Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale neni 3, pika 1.25 siguron që të gjitha “të dhënat personale të ndjeshme që zbulojnë origjinën etnike ose racore, pikëpamjet politike ose filozofike, përkatësinë fetare, anëtarësimin në sindikatë ose çdo e dhënë për gjendjen shëndetësore ose jetën seksuale” janë të mbrojtura me ligje dhe nuk mund të bëhen publike”, thuhet në reagim.

Në letrën e OJQ “Advancing Together” përmendet që në rastin e Komunës së Prizrenit dhe komunave të tjera të Kosovës, edhe para edhe pas 15 prillit 2020, ka pasur raste të pakicave të tjera të cilat janë testuar pozitiv me COVID-19 dhe që deri tash nuk iu është publikuar përkatësia etnike.

“E më t’u paraqitur 2 rastet e para që janë pjesëtarë të komunitetit Rom – bëhet publik identiteti i tyre etnik”, vazhdon reagimi.

Në letër është sqaruar se të dyja rastet janë raste kontakti (nënë e bijë), njëra duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, ndërsa rasti i dytë është në vetizolim në Fushë-Kosovë.

Në letër u është bërë thirrje të gjitha organeve tjera kompetente komunale dhe qendrore që të marrin për bazë ligjet në fuqi dhe të sigurojnë privatësinë e çdokujt të prekur nga COVID-19.

“Apeloj dhe uroj që një gjë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen në asnjë komunë pasi që kjo mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndër-etnike në Kosovë”, theksohet në letër.

Sipas kësaj organizate, një gjë e tillë mund të nxisë stigmatizimin ndaj të prekurve, familjeve të tyre si dhe të cenojë dhe thellojë diskriminimin ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, sidomos ndaj atyre që jetojnë në kushte të rënduara sociale dhe në varfëri të skajshme, të papunë apo të varur prej ekonomisë joformale dhe punëve ditore.

Letrën e plotë drejtuar Mytaher Haskukës, kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe Burim Berishës, kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, mund ta lexoni KËTU.