Foto: REL/AFP

Rreziku nga dënimet për thyerjen e privatësisë në kohën e pandemisë

Thyerja e privatësisë së pacientëve të prekur nga COVID- 19 mund t’ju kushtojë me gjoba gazetarëve medieve e institucioneve.

Të pa informuar mirë për çështjen apo të prirur nga tendenca për të ofruar lajme ekskluzive, mediat publikuan të dhëna personale të pacientëve me coronavirus ndërsa gabimet u bënë edhe nga drejtues të institucioneve veçanërisht ato komunale.

Në krizën e pandemisë COVID 19 diskutimi për informacionin e saktë dhe korrekt është njëra nga temat kryesore krahas raportimeve për numrin e të prekurve dhe zhvillimeve të mjekësisë për ta zbuluar kurën e virusit.

Në këtë situatë kurreshtja për të marrë informacione se kush është i infektuar e ka vënë shpesh herë në rrezik të drejtën për privatësi të pacientëve.

Njëri nga parimet kryesore të shëndetësisë është që diagnoza e pacientëve nuk duhet të zbulohet. Por, të dhënat tregojnë se kur informacioni është bartur nga mjekët tek politikanët në Kosovë këta të fundit kanë shkelur këtë rregull.

Agjencioni për mbrojtjen e privatësisë edhe pse ka kërkuar respektimin e rregullave reagimi i tyre në rrjetet sociale ka mbetur pa u respektuar nga institucionet kjo për faktin se politikanë e zyrtarë institucionalë janë hasur duke thyer publikisht rregullat e privatësisë duke publikuar identitetin e pacientëve.

Kosova ka një legjislacion të avancuar që mbron dhe rregullon këto të drejta, ka ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ka mekanizma rregullues e vetërregullues që përcaktojnë standardet e të raportuarit dhe lirinë e shprehjes

Kur Kosova nuk kishte ende të konfirmuar asnjë rast të infektuar me COVID-19, u raportua duke u thirrur në burime se në Kosovë tashmë kishte të infektuar, ndërsa ditë më pas u raportua se disa mostra të destinuara për t’u testuar për COVID -19 ishin dërguar për testim në Shqipëri. Të dyja këto lajme rezultuan të pasakta, teksa rastet e para me COVID -19, në Kosovë u konfirmuan më datë 13 mars 2020.

Këto lajme të pavërteta, ishin vetëm disa prej shumë lajmeve të tilla që fillimisht nxitën reagimin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), të kërkojë raportim me përgjegjësi.

Përpos që lajmet e tilla të pakonfirmuara në mediat online u zhvillua industria e lajmeve me përmbajtje të pakonfirmuara shkencore që udhëzojnë për përdorim apo mos-përdorim të barnave të caktuara që mund të shpijnë në rrezikimin e drejtpërdrejtë të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Megjithatë, vërtetësia dhe saktësia e lajmit, është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër, ndoshta edhe më e dëmshme, ka të bëjë me ndërhyrjen në privatësinë e të prekurve me COVID-19 dhe familjarëve të tyre, të karantinuarve apo të izoluarve për shkak të kontaktit me personat që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Mungesa e përvojës të raportuarit në situata të tilla emergjente pandemike, e kombinuar edhe me mos-njohjen e  të drejtave dhe lirive elementare të qytetarëve, ka ndikuar që në disa raste të shkelet brutalisht e drejta në privatësi e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës – neni 36.

“Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj”, përcaktohet në paragrafin 4 të nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë konkretizohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave i cili nga fillimi i vitit 2019 është në fuqi në Republikën e Kosovës. Ky ligj është në përputhje me Rregulloren  2016/679 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës, 27 prill 2016, për mbrojtjen e personave fizik sa i përket përpunimit të të dhënave personale dhe qarkullimit të lirë të këtyre të dhënave.

Si i tillë, ky Ligj ka ofruar përcaktime dhe përkufizime të qarta që garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale – në veçanti, mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme  personale.

Ndër të tjera, në të dhëna të ndjeshme personale hyjnë edhe të dhënat shëndetësore.

“Të dhëna shëndetësore – të dhënat personale në lidhje me shëndetin fizik ose mendor të një personi fizik, duke përfshirë dhënien e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që tregon informacion në lidhje me gjendjen e tij ose të saj shëndetësore”, përcaktohet në 1.21 të nenit 3 të Ligjit.

Në lidhje me këto të dhëna, Ligji i ka paraparë si kategori të veçanta të dhënave personale dhe si të tilla, ka garantuar një mbrojtje të veçantë për përpunimin e tyre.

Me përpunim nënkuptojmë “çdo veprim ose seri veprimesh që kryhen ndaj të dhënave personale me mjete automatike ose jo, si: mbledhja, regjistrimi, organizimi, strukturimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, tërheqja, konsultimi, përdorimi, publikimi nëpërmjet transmetimit, shpërndarja ose ofrimi, njësimi ose kombinimi, kufizimi, fshirja ose asgjësimi;

Fillimisht,  paragrafi 1 i nenit 8 e ka ndaluar përpunimin e këtyre të dhënave.

“Përpunimi i të dhënave personale që tregon origjinën racore ose etnike, bindjet politike, bindjet fetare ose filozofike, anëtarësinë në bashkimet profesionale, si dhe përpunimi i të dhënave gjenetike, të dhënave biometrike për qëllimet e identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, të dhënat në lidhje me shëndetin ose të dhënat në lidhje me jetën seksuale ose orientimin seksual të një personi fizik është i ndaluar”.

Mirëpo, paragrafi 2 i të njëjtit nen, ka përcaktuar edhe përjashtimet në përpunimin e këtyre të dhënave.

Dy nga 10 pikat e këtij paragrafi, përcaktojnë arsyet mbi të cilat këto kategori të dhënave personale mund të përpunohen.

 “2.8. përpunimi është i nevojshëm për qëllimet e mjekësisë parandaluese ose të punës, për vlerësimin e kapacitetit të punës së punonjësit, diagnozës mjekësore, dhënien e kujdesit shëndetësor social, trajtimin, menaxhimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor ose social dhe shërbimet mbi bazën e legjislacionit përkatës ose në pajtim me kontratat me një profesionist shëndetësor kur ato të dhëna procesohen nga ndonjë profesionist apo nën përgjegjësinë e tij që i nënshtrohet obligimit të fshehtësisë profesionale sipas legjislacionit përkatës, rregullave të themeluara nga organet kompetente nacionale apo nga ndonjë person tjetër që po ashtu i nënshtrohet obligimit të fshehtësisë;

Ky përcaktim, përpos që lejon përpunimin e të dhënave të ndjeshme personale të përpunohen për qëllime të mjekësisë parandaluese, në pjesën e dytë, përcakton përgjegjësinë dhe detyrimin për ruajtjen e fshehtësisë profesionale profesionistëve që përpunojnë këto të dhëna.

Po ashtu, edhe pika 2.9 e këtij paragrafi përcakton se:

“2.9. përpunimi është i nevojshëm për shkaqe të interesit publik në sferën e shëndetit publik, si mbrojtja ndaj kërcënimeve të rënda ndërkufitare për shëndetin ose garantimin e standardeve të larta të cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor dhe të produkteve mjekësore ose pajisjeve medicinale, mbi bazën e legjislacionit përkatës”.

Megjithëse këto dy pika të paragrafit 2 të nenit 8 lejojnë përpunimin e të dhënave personale të ndjeshme, dy paragrafët e fundit të nenit 8 përcaktojnë kufijtë e përpunimit dhe nivelin e ndërhyrjes.

Fillimisht, paragrafi 3 i nenit përcakton se përpunimi i të dhënave bëhet në mënyrë proporcionale pa e dëmtuar thelbin e të drejtës.

“3. Të dhënat personale të përmendura në paragrafin 1. të këtij neni mund të përpunohen për qëllimet e përmendura në nën-paragrafin 2. të këtij neni, kur ato të dhëna përpunohen në mënyrë proporcionale me qëllimin e kërkuar, përpunimi i tyre e respekton thelbin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave dhe bëhet në pajtim me masat specifike për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave themelore të subjektit të të dhënave siç parashihet në këtë ligj, përfshirë aty ku është e nevojshme, fshehtësinë profesionale.”

Më tej, paragrafi 4 i këtij neni përcakton nivelin e veçantë të mbrojtjes që gëzojnë kjo kategori e të drejtave personale, duke përmendur edhe një përjashtim.

“4. Kategoritë e veçanta të të dhënave personale ,duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë dhe të klasifikohen me qëllim të parandalimit të qasjes dhe përdorimit të paautorizuar, përveç në rastet nga nën-paragrafi 2.5. i paragrafit 2. të këtij neni.”

Nën paragrafi 2.5 i paragrafit 2 të këtij neni përcakton se “2.5. nëse subjekti i të dhënave i ka bërë ato publike pa e kufizuar përdorimin e tyre në mënyrë të dëshmuar ose të qartë”

Pra, përveç nëse subjekti i të dhënave i ka bërë të dhënat publike dhe kjo mund të dëshmohet në mënyrë të qartë, në rastet tjera vlen përpunimi shumë i kufizuar i këtyre të dhënave.

Gjendja në Terren

 Përderisa baza ligjore është mjaft e avancuar dhe përcakton hapa dhe kufizime të sakta dhe proporcionale në përpunimin e të dhënave personale, në praktikë kjo nuk ka ndodhur dhe janë evidentuar raste ku qoftë nga mediat por qoftë edhe nga autoritet tjera, në mënyrë flagrante janë përpunuar këto të dhëna të mbrojtura në mënyrë të veçantë.

Me një kërkim të thjeshtë mund të gjenden artikuj që paraqiten si ‘lajme ekskluzive’ dhe që zbulojnë identitetin e të infektuarve me COVID-19, familjarët e tyre, bizneset e tyre, e gjithashtu e njëjta vlen edhe për të karantinuarit.

Për më tepër, zakonisht këto lajme ose thirren në ‘burime të brendshme’, ose citojnë ndonjë kryetar komune i cili pa treguar nëse ka pëlqimin (të paktën kjo nuk paraqitet në tekst – dhe do të duhej të bëhej) e të infektuarve, jepen emri dhe mbiemri, vendi i punës dhe nganjëherë edhe gjendja shëndetësore.

Përpos që zbulojnë identitetin e individit të prekur, ka raste kur paraqitet si ‘lajm ekskluziv’ dhe ‘në detaje’ për personin e prekur, apo për tërë familjen si dhe përshkruhet vendndodhja e tyre.

Po një kryetar komune, duke u intervistuar nga një media në Kosovë, duke treguar për gjendjen e të infektuarve të Komunës së tij, fillon e tregon për historikun e familjes, meritat dhe kontributin e familjes duke përmendur familjen e të infektuarit.

Rast akoma më shqetësues është edhe fakti se duke dhënë informacione në lidhje me gjendjen e të prekurve apo vdekjen e tyre, ndodhin gabime në përshkrimin e identitetit të personave të prekur dhe për të vdekur raportohet personi i gabuar.

Në lidhje me krejt këto raportime që shpalosin identitetin e personave të infektuar dhe familjareve të tyre, Institucioni përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka reaguar përmes një njoftimi të publikuar më datë 19 mars 2020.

Ky njoftim është i qasshëm vetëm në faqen e Agjencisë në “Facebook”, ndërsa nuk mund të gjendet fare ueb-faqja e Agjencisë.

Në këtë reagim për media, Agjencia tërheq vëmendjen për të pasur kujdes në shkëmbimin e të dhënave në lidhje me personat e prekur.

“Në rrethanat e krijuara në vendin tonë nga përhapja e virusit COVID 19, është më se e domosdoshme që të shkëmbehen informacione në mbështetje të përpjekjeve për të trajtuar këtë pandemi globale. Megjithëkëtë, ky shkëmbim duhet bërë në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me të dhëna të ndjeshme, publikimi pa kritere i të cilave mund të përbëjë ndërhyrje në privatësinë e individit”, thuhet në reagimin e Agjencisë.

Reagimi në veçanti ju drejtohet punëtorëve të shëndetësisë, të cilëve ju bëhet thirrje të kenë kujdes me kë ndajnë informacionin e ndjeshëm, si dhe mediave që raportojnë për këtë pandemi.

“Agjencia kërkon nga mediumet e shkruara, audiovizive, ato të platformave online, si dhe nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, që në përmbushje të misionit të tyre të informimit të plotë e të drejtë të publikut, të jenë të kujdesshëm në respektimin e dinjitetit njerëzor dhe jetës private të qytetarëve”, shkruhet në reagimin e Agjencisë.

Krejt në fund, përmes këtij reagimi, ju bëhet thirrje palëve që nëse kanë ankesa për realizimin e qasjes në dokumente publike apo ankesa për cenimin e të drejtës në privatësi, t’i adresojnë ato në Agjenci përmes e-mailit.

Patjetër, që Ligji ka paraparë edhe dispozitat ndëshkimore për ata që nuk i përmbahen udhëzimeve.

“1. Personi juridik ose personi që ushtron veprimtari të pavarur dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzetë mijë (20,000€) deri në dyzet mijë (40,000€)”, përcaktohet në nenin 92 të Ligjit.

Për më tepër, shqiptimi i këtyre gjobave nga Agjencia, nuk përjashton përgjegjësinë eventuale për kompensimin e dëmit të shkaktuar me ndërhyrjen në privatësinë e tjetrit e as përgjegjësinë penale eventuale të përcaktuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.