Qytetarët kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Dresnik të Klinës

Në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut të Klinës po planifikohet të ndërtohet një fabrikë për prodhimin e çimentos.

Licencimi i fabrikës është në proces e sipër pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Banorët e komunës se Klinës, e në veçanti ata të fshatit Gremnik, po e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike.

Më 2 shkurt, këshilli i fshatit Gremnik ka mbajtur mbledhje me banorët, ku është biseduar për iniciativën për ndërtimin e fabrikës në zonën kadastrale Dresnik, e cila ndodhet afër fshatit Gremnik.

KALLXO.com ka kontaktuar me njërin nga përfaqësuesit e këshillit të fshatit, Demë Kalludra.

Kalludra tha se e kundërshtojnë fuqishëm ndërtimin e kësaj fabrike, për shkak të dëmeve të mëdha lidhur me ndotjen e ambientit e që ndikon direkt në shëndetin e popullatës, duke shtuar se janë në proces të nënshkrimit të një peticioni për rastin.

“Ky problem është që 8 vite. Në atë kohë patëm mbledhur 800 nënshkrime. Kryetari paraprak Sokol Bashota nuk pat lejuar të ndodhë kjo për shkak të pakënaqësisë se qytetarëve”, tha Kalludra.

“Vendimi unanim ishte që të protestohet kundër ndërtimit të fabrikës, si hap i parë është nënshkrimi i peticionit”, shtoi ai.

Në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Klinës është dhënë pëlqimi për licencim të fabrikës së çimentos.

Kallxo.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për ta pyetur se a është marrë për bazë interesi i qytetarëve kur është dhënë ky pëlqim.

Elezaj tha se pëlqimi është vetëm një parakusht për licencim dhe se pëlqimi është dhënë sipas tij sepse ka qenë në përputhje me rregullativën për zhvillim ekonomik të Komunës që ai drejton.

Kryetari po ashtu tha se ai si zë i qytetarëve do të paraqesë pakënaqësitë e tyre rreth këtij procesi që po vlerësohet të jetë i dëmshëm nga ana e tyre.

“Procesi i licencimit bëhet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Unë jam në përkrahje të qytetarëve dhe do t’i adresojmë këto pakënaqësi”, tha Elezaj.

KALLXO.com ka marrë mendimin edhe të një organizate për mbrojtjen e ambientit.

Kryetari i “Let’s do it Peja”, Urim Xharavina, tha se organizata qe ai drejton e kundërshton fuqishëm ndërtimin e kësaj fabrike.

“Mjafton me shku në Han të Elezit e me pa gjendjen. Ndërtimi i fabrikës së çimentos është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve”, tha Xharavina.