Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com
Banorët e Dresnikut të Klinës protestuan sot për mungesën e rrymës
Dhjetëra familje të fshatit Dresnik të Klinës po ankohen se nuk janë të kyçur në rrjetin e energjisë elektrike.
Pas kërkesave të shumta që ata thonë se i kanë drejtuar KEDS-it, për sigurimin e një trafoje në lagjen e tyre, ata sot kanë protestuar para zyrave të kësaj kompanie në Klinë.
Florim Haliti, banor i këtij fshati thotë se KEDS u ka kërkuar “lejet ndërtimore” pronarëve të këtyre shtëpive.
“Arsyeja, jo nuk është në projekt, është lagje e re. Njëherë na i lypshin se a është e legalizune prona, a keni leje të ndërtimit, por leje të ndërtimit gjysma e Klinës nuk ka, por ajo zonë është krejt e banuar” – tha ai.
Ndërkohë thotë se rrymën ai detyrohet ta marrë nga fqinjët.
Kjo nuk është protesta e tyre e parë për këtë çështje.
“Rrymë në përgjithësi nuk kemi. Jemi kanë një herë, e kemi ba njëfarë proteste më herët”.
Derisa disa të tjerë thonë se janë detyruar të jetojnë me qira diku tjetër.
Protestuesit nuk lejonin punëtorët e KEDS-it të hynin në zyrat e tyre. Në këtë rast pati ndërhyrje nga Policia e Kosovës, të cilët e qetësuan situatën.
Pas zyrave të KEDS-it, protestuesit i shkuan në zyrë kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Por nuk e gjetën aty.
Të martën banorët e fshatit Dresnik pritet të takohen me të.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë KEDS, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.