Ulpiana

Gjurmimet arkeologjike në Ulpianë dhe Dresnik peng i buxhetit

Që nga janari i këtij viti dhe deri në fund të gushtit 2018, Parku Arkeologjik i Ulpianës ka pritur rreth 23000 mijë vizitorë.

Edhe gjatë vitit të kaluar numri i vizitorëve që kanë vizituar këtë park arkeologjik ka qenë afërsisht i njëjtë, çka dëshmon një interesim të shtuar për të parë këtë lokalitet me rëndësi për vendin.

Gjithë kjo erdhi si rezultat i intensifikimit të investimeve, jo vetëm në gërmime, por edhe në infrastrukturën përcjellëse për të krijuar kushte për vizitorët, mirëmbajtje dhe roje për të siguruar Parkun dhe investimet e bëra aty.

Por, gjithë ky investim rrezikon të “bie në ujë” pasi MKRS ndryshoj formë e financimit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, i cili është përgjegjës për gjithçka që ka të bëjë me këtë Park Arkeologjik.

IAK përveç punëtorëve të rregullt, për të kryer punë për nevoja të parkut, është i detyruar të angazhojë edhe punëtorë më kohë të shkurtër, apo kontratë për shërbime të veçanta, ndonjëherë edhe për pak ditë dhe javë.

Që nga qershori i këtij viti, IAK-së i është ndalur buxheti dhe llogaria e tij është mbyllur, duke lënë pa para këtë institucion, i cili dhe nuk ka pasur mundësi të shlyej obligimet financiare për projekte dhe duke vonuar pagesat për më se dy javë për punëtorët e angazhuar në projektet e këtij institucioni.

Bllokimi i buxhetit ka sjellë edhe ndërprerjen e punimeve në këtë park deri sa të sqarohet mënyra e financimit të projekteve.

Problemet pas bllokimit të buxhetit

Enver Rexha, drejtor i IAK ka potencuar për KALLXO.com se forma e re e financimit të projekteve të IAK-së, shlyerjes dhe përmbushjeve të detyrimeve qysh në fillim u ka sjellë kokëçarje.

Puna në terren,  sipas tij i ka specifikat e veta dhe stafet që janë të angazhuara në lokalitetet e ndryshme që shtrihen në gjithë vendin, e kanë të pa mundur që  për çdo nevojë, e edhe më të voglën të vijë në Prishtinë për të dorëzuar fatura që t`u mundësohet blerja e materialeve të nevojshme.

“Ne nuk mund të punojmë në teren pa pasur para kesh, për shkak se gjatë punës të lindë nevoja për gozhda, gëlqere e tulla të ndryshme, ku kostoja e tyre varion nga  2, 3, 5 apo edhe 10 euro”, ka potencuar Rexha.

Por më e keqja është se ai nuk ka mundur të jetë prapa me shlyerjen e obligimeve financiare ndaj punëtorëve.

“Jemi me vonesa të pagesave dhe besoj tashmë kanë nisur ankesat. Kanë të drejtë dhe ndihem i fyer që për herë të parë prej sa jam në pozitën e drejtorit të mos arrijmë t`i kryejmë obligimet me kohë”, ka potencuar drejtori Rexha, për KALLXO.com

Rexha ka thënë se për këtë situatë është ankuar në MKRS dhe, siç ka thënë ai, jua ka pohuar zyrtarëve se nëse vazhdohet kështu institucioni i tij do të mbes prapa në realizimin e projekteve, rrezikim të investimeve, mirëmbajtje dhe sigurim të rojës gjatë natës.

“U kam thënë në MKRS se që nga koha kur edhe na është bllokuar buxheti dhe me këtë formë të financimit unë si drejtor nuk mbaj asnjë përgjegjësi për rrezikimin apo dëmtimin eventual jo vetëm në këtë park”, ka potencuar Rexha.

Interesimi për Parkun

Milot Berisha, arkeolog përgjegjës për parkun Arkeologjik të Ulpianës, ka konfirmuar për KALLXO.com se në Parkun Arkeologjik Ulpiana janë pezulluar punimet nga e hëna e javës se kaluar, deri në një datë të pacaktuar, pasi që nuk janë alokuar mjetet në xhirollogarinë e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

“Sigurisht që punimet do të vazhdojnë sapo të qartësohet forma e pagesës së mjeteve e që me sa duket do të bëhet përmes MKRS, e që shpresoj të realizohet në një periudhë të shkurtë kohore. Duhet theksuar se gërmimet janë në fund të këtij sezoni, kurse ka akoma punë në konsolidimin e strukturave të zbuluara e që nënkupton konservimin e përvitshëm që ne bëjmë”, ka pohuar Berisha.

Për momentin në Parkun Arkeologjik Ulpiana vazhdojnë punë vetëm personeli i mirëmbajtjes dhe rojet.

Berisha ka thënë se ajo që vlen të theksohet është se nga 1 janari 2018 e deri me 31 gusht 2018, Parkun Arkeologjik Ulpiana e kanë vizituar rreth 23000 vizitorë, aq sa ishte edhe numri i vizitorëve gjatë gjithë vitit 2017

Vlerësimi i ekspertit

Kurse Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka potencuar për KALLXO.com se është e pa pranueshme sjellja MKRS dhe asaj të Ministrisë së Financave që për shkak të gabimeve teknike të  pësojnë projektet hulumtuese që ishin duke u zhvilluar në lokalitetet arkeologjike në Ulpianë dhe Dresnik të Klinës.

Vokshi ka thënë se konkludimet e Zyrës së Auditorit rreth xhirollogarive të institucioneve munden të jetë vetëm shkas,  e në thelb problemi është se si ne sillemi me papërgjegjësi ndaj trashëgimisë kulturore në 20 vitet e fundit.

“Pasojat e këtyre veprimeve janë evidente, por, për këto sjellje askush deri me tani nuk ka dhënë përgjegjësi, kështu kaluara e jonë kulturore dhe historike është duke vendnumëruar”, ka thënë Vokshi.

Gjithçka sipas Rregullores Nr.01/2013

Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë pohuar për KALLXO.com, se janë në proces të procedimit të pagesave për institucionet vartëse të kulturës konform marrëveshjes me Ministrinë e Financave për mënyrën e re të procedimit të këtyre pagesave.

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës Kujtim Gashi,  ka thënë për KALLXO.com se pas takimit konsultativ me Ministrinë e Financave, konkretisht me përfaqësuesit të Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të  Buxhetit, janë njoftuar në lidhje me situatën tashmë të njohur për ekzekutimin e buxhetit të Institucioneve vartëse të MKRS-së.

“Zgjidhja e vetme për realizimin e  pagesave është sipas Rregullores për Shpenzimin e Parasë Publike Nr.01/2013”, ka thënë Hoxha.