Kosova pjesë e projekteve të vullnetarëve evropianë të trashëgimisë

Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut në Klinë është përfshirë në kalendarin e projekteve të “European Heritage Volunteers” (EHV), për vitin 2020.

Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore përmes një postimin në Facebook, ka bërë të ditur se Kosova është përfshirë në aktivitetet e kalendarit të “European Heritage Volunteers”, (Vullnetarët evropian të trashëgimisë).

Sipas KKTK përfshirja e Drastikut në kalendarin e vullnetarëve të trashëgimisë do të mundësojë realizimin e një projekti vullnetar – edukativ në fushën e trashëgimisë kulturore me pjesëmarrje të studentëve nga e gjithë bota.

“Është publikuar online kalendari i projekteve të European Heritage Volunteers për vitin 2020. Këtë vit për herë të parë në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut do të organizohet projekti vullnetar dhe edukativ në fushën e trashëgimisë kulturore me pjesëmarrje të studentëve nga e gjithë bota. Aktiviteti do të organizohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore & Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Klinës në bashkëpunim me European Heritage Volunteers”, thuhet në njoftimin e KKTK. .

Sipas kalendarit të EHV aktivitetet në Dresnik të Klinës do të zhvillohen në shtator të 2020.