Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vitia për Projektligjin për fertilizim të asistuar: Shumë familje kanë shitur edhe pronat për të siguruar këtë trajtim

Votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësorë sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, do të hapë rrugën për një shërbim kaq të vyeshëm në institucionet publike dhe pa kosto shtesë.

Sipas tij, shumë qytetarë kanë kaluar nëpër përvojën e mundimshme dhe të kushtueshme të fertilizimit të asistuar, IVF.

“Udhëtimet e shpenzimet janë kaq të mëdha saqë shumë familje kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre, e jo rrallë edhe pronat, vetëm për ta siguruar këtë trajtim”- ka thënë ai.

Ai është shprehur falënderues ndaj deputetëve që votuan pro këtij projektligji.

Sipas Vitisë, projektligji i cili mori votat e deputetëve në lexim të parë, ka si qëllim sigurinë dhe monitorimin e rregullsisë në të gjitha procedurat për fertilizimin e asistuar.

Sot, pas rreth shtatë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Ligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Projektligji i cili ngjalli debat mes ligjvënësve, sot ka marrë 58 vota pro, një kundër dhe katër abstenime.

Që nga muaji mars, kjo pikë e rendit të ditës nuk kishte kaluar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët nuk merrnin pjesë në votim.

Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, rregullon organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësinë institucionale dhe profesionale, mbikqyrjen, inspektimin, për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues, me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues.

Me këtë ligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatëzani e dëshiruar me rrugë natyrore.

Kuvendi miraton në parim Ligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor