Qytetarët ankohen se çmimi i druve është i lartë (Video)

Zona tek ‘Xhamia e Llapit’ në Prishtinë është vendi ku mblidhen shumë tregtarë që merren me shitjen e druve.

 Në këtë pjesë gjatë ditës mblidhen kamionë e kombi të shumtë me lloje të ndryshme të druve. Tregtarët që rrinë në këtë zonë thonë se, interesimi i qytetarëve për të blerë dru është i vazhdueshëm.

Druri më i shtrenjtë është ai i bungut, ku një metër kushton deri 60 euro.

Edhe pse ka rritje të tarifës së energjisë, çmimi i druve ende është i njëjtë, pasi tani është  thuajse fundi i sezonit të ftohtë.

Drutë që shiten në këtë pjesë të Prishtinës janë të prera, derisa në blerje përfshihet edhe transporti i tyre.

Hajdin Hasani, qytetar i Prishtinës që del shpesh në pjesën ku shiten dru, thotë se çmimi i tyre është i lartë.

“Drutë janë kogja nalt me çmim, ai që blen është vështirë, po edhe këta që shesin e kanë të vështirë”, thotë Hasani.

Sipas tij, duke i parë çmimet e produkteve tjera, për dru nuk ka ndryshim në çmim.

“Nuk ka ndryshu çmimi, qysh kanë ndryshu tjerat, drutë janë njësoj, se as njerëzit nuk kanë me çka t’i blejnë”, shtoi ai.

Nazmi Makolli, tregtar që shet dru në Prishtinë, thotë se druri më i shtrenjtë është ai i bungut.

“Metri kushton prej më të mirave, 60 euro, pastaj shkojnë më poshtë duke u klasifikuar, bungu është më i shtrenjti”, ka thënë ai.

Makolli tutje shtoi se ka pak ndryshim në çmim të metrit të druve në krahasim me vitin e kaluar.

“Çmimi ka qenë kështu edhe më herët, 50-60 euro, pak ka pas rritje prej vitit të kalum, por jo shumë, 5-7-euro në metër”, thotë Makolli.