Ilustrim

QKMF në Drenas me mungesë të barnave esenciale, MSh thotë që s'ka buxhet

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas, po përballet me mungesa të shumta të barnave. Në mesin e tyre edhe me ato më elementare si infuzione, Paracetamol tablet 500 miligram, Atrovastatin tablet 10 miligram apo ilaç për kolesterol – yndyrë në gjak, Ringer dhe Glukozë – lloje të infuzioneve, Ascorbic acid apo vitamin C.
Fadile Shala, farmaciste në Barnatorën Qendrore në këtë komunë, thotë se për disa nga këto lloje të barnave nga lista esenciale, kanë mungesa më të shprehura dhe për një kohë më gjatë se një vit, dhe se përkundër kërkesave për furnizim ajo thotë se nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Paracetamol tableta 500mg, furnizimi i fundit është bërë më 26 nëntor 2020, Atrovastatin 10 mg tableta, furnizimim i fundit është bërë më 1 prill 2021, Ascorbic acid 500mg tableta, furnizimi i fundit është bërë në gusht 2021, Ringer 500ml, furnizimi i fundit është bërë në qershor 2021, Glukozë 5% 500ml, furnizimi i fundit është bërë në qershor 2021si dhe sisteme për infuzion, furnizimi i fundit është bërë më 26 nëntor 2020”, tregon ajo për KALLXO.com.
Në anën tjetër, për mosfurnizimin me barna nga lista esenciale, Ministria e Shëndetësisë ia lë fajin mungesës së buxhetit.
“Për shkak të kufizimeve buxhetore (përgjysmimit të buxhetit) për këtë vit, MSh nuk ka arritur që të kontraktoj shumë produkte nga lista esenciale”, thonë nga ministria në një prononcim për KALLXO.com.
Ministria shpreson se për vitin 2022 do të alokohet buxhet i mjaftueshëm dhe do të sigurohet furnizim i qëndrueshëm.
Probleme me furnizim kjo qendër pati edhe gjatë muajit maj të këtij viti, kohë kur qytetarët u detyruan të blejnë flaser, insulin e lloje të tjera të barnave dhe materialeve nga lista esenciale në barnatoret qendrore pasi ky material mungonte në këtë qendër.
Përveç ngecjave për furnizim QKMF në Drenas që nga dhjetori i vitit të kaluar ka mungesë edhe të stafit shëndetësor.

 

Drenas, qytetarët ankohen se po detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe materialet esenciale