Ministria e Shendetesise 3

Foto: Denis Sllovinja

 MSh nënshkruan kontratë për përcaktimin e hartave zonale të institucioneve shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për “Krijimin e Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor” e cila përcakton hartën zonale për institucionet shëndetësore.

Sipas njoftimit kjo kontratë është nënshkruar me qëllim që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh).

“Fushëveprimi i projektit “Krijimi i Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor” përfshin fillimisht katër komuna (Lipjan, Prizren, Istog dhe Prishtinë), me nga pesë Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF). Pas pilotimit do të vlerësohen rezultatet e projektit në mënyrë që të gjeturat pozitive të aplikohen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”- thuhet në komunikatën e MSh-së.

Tutje, thuhet se rezultatet nga të dhënat e grumbulluara nga ky pilot-projekt do të mundojnë planifikimin e duhur për shtrirjen në nivel të përgjithshëm, zonimin e KPSh që është një prej hapave më të rëndësishëm në reformën për shëndetësinë, në kuadër të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh).