Vitia: Përmes listës së barnave esenciale synojmë të përmbushim nevojat e qytetarëve me kosto sa më të ulët

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka njoftuar se janë ndarë 60 milionë euro për listën e barnave esenciale për vitin 2023.

 “MSH ka ndarë 60 milionë euro për listën e barnave për 2023, që është më shume se dyfish rritje e buxhetit sidomos krahasuar me vitin 2018 kur kjo shumë ka qenë 24 milionë euro, e më pas në vitin 2020 është bërë 35 milionë euro nga qeveria Kurti 1”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se përmes kësaj liste synojnë që të përmbushin nevojat e qytetarëve me kosto sa më të ulëta.

“Rrjedhimisht do të kemi edhe barna më shumë por edhe me çmime më të lira, kursim i dyfishtë për xhepat e qytetarëve. Përmes listës esenciale synojmë të përmbushim nevojat e qytetarëve me kosto sa më të ulëta. Janë shtuar diku mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve të qytetarëve”- ka njoftuar ai.

Vitia tutje ka thënë se në shërbim të rritjes së transparencës është organizuar edhe tryezë për diskutim.

“Janë pranuar propozimet në interes të qytetarëve veçanërisht ato që e rrisin konkurrencën dhe e rrisin cilësinë”- ka thënë ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot paradite në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se këtë javë do të bëhet publike Lista e re e barnave esenciale.

Ndërsa, kryesuesi i grupit punues për hartimin e Listës Esenciale të Barnave, Driton Vela ka folur për indikacionet për imunoterapi.

“Sa i përket indikacioneve tani janë shumë të qartë në krahasim me listën e kaluar që nuk pas fare indikacione. Nuk kemi mundur me e lënë ashtu sepse për imunoterapi janë të miratuara mbi 20 indikacione dhe sikur t`i aprovonim të të gjitha nuk do të dilte buxheti. Aty ku ka imunoterapi jo vetëm që janë sqaruar indikacionet por e kemi fut edhe mekanizmin që do të vendosin për pacientë të caktuar” – ka thënë Vela.

Tutje në konferencë është folur edhe propozimin për shkarkimin e një anëtare të Bordit të OSHP.

Sot, Qeveria në mbledhjen e mbajtur i ka propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Kimete Gashi, për shkak të tenderit për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2020 ka mbetur duke u zvarritur, për shkak se OSHP-ja kërkon që ofertat e operatorëve ekonomik të kthehen në rishqyrtim, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konsideron se OSHP-ja ka bërë shkelje ligjore.

Në konferencë për media pas mbledhjes, ministri Arben Vitia tha se kjo situatë në mënyrë substanciale rrezikon shëndetin publik.