
Çka është fruthi dhe si trajtohet?
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka dhënë disa informacione në lidhje me sëmundjen e fruthit.
Aktualisht në Kosovës, sipas ministrisë nuk ka raste të konfirmuara me fruth.
Informacionet në lidhje me fruthin:
Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae.
Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.
Simptomat
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.
Komplikimet
Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet. Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.
Kush është i rrezikuar?
Fëmijët e vegjël të pa vaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit.
Trajtimi
Nuk ekziston trajtim i posaçëm antiviral kundër virusit të fruthit. Prandaj, mbrojtja më e mirë është vaksinimi që në fëmijëri kundër kësaj sëmundjeje.
Parandalimi
Vaksina kundër fruthit është mënyrë më e mirë për Parandalim dhe kjo vaksinë është e sigurt, efikase dhe në vendin tonë jepet falas. Përdoret tashmë e 50 vjet.
Vaksinimi në Kosovë kundër fruthit, fillon tek fëmijët në momentin që fëmija mbush 12 muaj dhe jepet si dozë e kombinuar me vaksinën kundër Shytave (Parotitit) dhe Rubellës.
Që të sigurohet imunitet dhe që të parandalohet paraqitja e epidemive, rekomandohet marrja e dy dozave të vaksinës. Doza e dytë e kësaj vaksine (rivaksinimi) të kombinuar jepet tek fëmijët e moshës 6-7 vjeçe.
Vaksina ka efekt të lartë që shkon deri në mbi 95% mbrojtje për të vaksinuarit.