Qeveria vazhdon mbulimin e policave kufitare për mërgatën

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për mbulimin e primit të policave kufitare për të gjithë mërgimtarët.

Kryeministri, Albin Kurti tha se ky vendim ka për qëllim rimbursimin e primit të policave kufitare për bashkatdhetarët.

“Ky propozim vendim ka për qëllim rimbursimin e primit të policave kufitare për mërgimtarët tonë i cili vlen deri 31 dhjetor 2022”, tha ai.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se ky vendim është në kuadër të ligjit për ringjallje ekonomike.

“Edhe me këtë kemi të bëjmë  në kuadër të ringjalljes ekonomike e cila duhet të vazhdohet meqenëse kemi një vit të ri fiskal dhe në kudër të kësaj të vazhdohet edhe  mbulimi i primit për bashkatdhetarët tanë deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare” , tha Murati.