Qeveria shpjegon se në cilat raste lejohet lëvizja në orën policore të katër komunave

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim se që nga dita e nesërme në komunat, Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri të ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë banesave apo shtëpive të tyre nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

Kufizimi i lëvizjes megjithatë është bërë me disa përjashtime si më poshtë:

·         Në rast të nevojës për t’u kujdesur për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten;

·         Në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare;

·         Në rast të vdekjes së anëtarit të familjes;

·         Në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm (institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to).

Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.

Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha komunat që të riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.