Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Qeveria ridërgon në Kuvend marrëveshjen ndërkombëtare me OPEC-un

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe ka vendosur ta riprocedojë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjes ndërkombëtare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut. Kjo marrëveshje nuk ka kaluar në seancën e mbajtur më 16.05.2024, pasi deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë votuar kundër saj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media deklaroi vlera e kësaj marrëveshjeje është 40 milionë dollarë.

“Kishim miratimin dhe riprocedimin edhe një herë në Kuvend të një marrëveshjeje tjetër ndërkombëtare për ratifikim, pra është ajo me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut. Pra, siç e dini me këtë fond kemi pas një marrëveshje në vlerë prej 40 milionë dollarë e cila gjithashtu është me kushte të favorshme, pra 20 vite periudhë maturiteti dhe pesë vite grejs periudhë. Mirëpo për shkak të mungesës së votave në Kuvend nuk ka arritur të ratifikohet”- ka deklaruar Murati.

“Ne po e riprocedojmë dhe më duhet të sqaroj që kjo marrëveshje është në kuadër të paketës së marrëveshjeve që kemi pasur me Bankën Botërore që ka qenë udhëheqëse e procesit. Ajo me Bankën Botërore ka kaluar në Kuvend dhe tashmë është disbursuar. Tash ka mbetë edhe pjesa e dytë”- theksoi ai.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Murati tha se është miratuar edhe nisma për fillimin e negociatave për nismën sociale me Republikën e Turqisë. Sipas ministrit, kjo nënkupton që qytetarët që mund të kenë punuar në një shtet ose tjetrin mund të vendosin të eksportojnë pensionet.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë marrëveshjen ndërkombëtare me OPEC-un në seancën e mbajtur më 16.05.2024.

Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 76 deputetë, 10 vota kundër, 1 abstenim.

Nga opozita PDK dhe AAK kanë votuar pro, ndërsa LDK kundër.

Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

LDK-ja pati thënë se do i mbështesë marrëveshjet, përveç marrëveshjes financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Nuk kalon marrëveshja me OPEC-un, LDK voton kundër