Foto: Pixabay

Murati: 61 mijë familjeve ua subvencionuam faturat e rrymës për gjashtë muaj, masa riaktivizohet prapë në dimër

Ministri i Financave, Punës dhe Tranfereve, Hekuran Murati, ka thënë se 61 mijë familjeve të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, u janë subvencionuar faturat e energjisë elektrike për gjashtë muaj rresht.

Murati ka bërë të ditur se familjet përfituese edhe këtë muaj do t’i pranojnë ato direkt në faturë të energjisë elektrike.

“Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme” – ka shkruar Murati në Facebook më 22.06.2024.

Më tej në njoftim thuhet se kjo masë do të riaktivizohet përsëri në stinën e dimrit.

“Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të riaktivizohet në stinën e dimrit”- vazhdon njoftimi.

Ministri Murati ka treguar se masa e pilotimit është mbështetur nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Europian, në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike.