Qeveria reagon për raportimet rreth keqpërdorimit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore
Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas raportimeve në media për keqpërdorime në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar auditim dhe hetim për të gjitha keqpërdorimet e raportuara ndërsa kanë thënë se shërbimet në këtë shërbim do t’i kthehen normalitetit.
“Për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullsinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Qeveria gjithashtu ka thënë se do të ushtrojë kontroll të rreptë mbi fondin brenda kornizave ligjore.
“Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, thuhet më tej në reagim.