Qeveria

foto; Denis Sllovinja

Qeveria reagon pas aktakuzës së Speciales ndaj drejtuesve të UÇK-së

Qeveria e Kosovës është deklaruar pas zhvillimeve të fundit rreth Dhomave të Specializuara.

Qeveria në krye me Avdullah Hotin ka deklaruar se beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, “që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë”.

“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.

Sot është konfirmuar aktakuza e datës të cilën më 24 qeshor të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.