Foto: KALLXO.com

Qeveria ndau 15 milionë euro për të shlyer borxhin e Fondit për Sigurime Shëndetësore

15 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për të paguar borxhin e programit Trajtimi Jashtë Institucioneve Shëndetësore në kuadër të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Këtë vendim qeveria e mori në mbledhjen që mbajti dje.

“Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore me kod 224, në nën-programin “Trajtimi Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore” me kod 71600, shuma prej 15,000,000.00€ (pesëmbëdhjete milionë euro), për pagesën e obligimeve të mbetura për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore” – thuhet në vendimin e Qeverisë.

Raporti i fundit i muajit nëntor tregonte një borxh prej rreth 30 milionë eurove të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Ky program përkrah pacientët të cilët kanë nevojë për shërim jashtë institucioneve publike, për diagnozat të cilat nuk është e mundur të trajtohen në institucionet shëndetësore publike në vend.

Udhëzimi Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike parasheh që mbështetja bëhet përmes një liste e cila është në formë aneksi në fund të UA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg problemesh në këtë program të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Sipas raportit, keq-menaxhimi ndodhi në disa raste kur u mbështeten diagnoza të cilat nuk ishin në Udhëzimin Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore.

E në disa raste të tjera, rastet ishin aprovuar ani se, pacientët mund të shëroheshin në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ushtruesi i Detyrës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri pati deklaruar se buxheti i alokuar nuk është respektuar asnjëherë, prandaj janë krijuar borxhet.

“Nuk është respektuar asnjëherë buxheti i alokuar, janë lëshuar fletëvotimet duke tejkaluar buxhetin e alokuar për këtë progam, dhe për pasojë janë krijuar borxhe të cilat janë sot” – pati thënë ai një vit më parë.

Në një debat të #KallxoPërnime, Bujar Kaçuri dhe ish-drejtori paraprak, Fatmir Plakiqi ishin përplasur lidhur me këtë borxh dhe menaxhimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore në përgjithësi.

Kaçuri pati thënë se ky borxh ishte shkaku që Bordi i këtij Fondi pati vendosur për shkarkimin e ish-drejtorit, Fatmir Plakiqi.

Ndërkaq, sipas Plakiqit, SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë futur Fondin në borxhe.

“Kur vjen një pacient, apo familjar për të dorëzuar kërkesën për rast urgjent, neni 2 pika 2 e udhëzimit administrativ në fuqi thotë, të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të marrin shërbime shëndetësore në klinikat publike ata kanë të drejtën e aplikimit në FSSH, për t’ia mundësuar trajtimin jashtë këtyre klinikave. Asnjëherë nuk është buxhetu sa ka nevojë. Pra unë nuk i kam fut në obligime por këtë e kanë thënë vetëm sa për ta arsyetuar vendimin ndaj shkarkimit tim” – kishtë shtuar ai më tej.

Ish-drejtori ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se ka ndikuar te Bordi i këtij institucioni për ta shkarkuar atë nga pozita.