Qeveria mban takimi koordinues për kandidimin e Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, foto:Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Qeveria mban takim koordinues për kandidimin e Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është mbajtur një takim koordinues për kandidimin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030.

Kryeministri Albin Kurti thuhet të ketë thënë se” Ky është një moment i rëndësishëm për ne si shtet, por edhe për ne si qeveri për të demonstruar potencialin tonë për të bërë punë të mëdha”.

“Aty u diskutua për rëndësinë dhe ndikimin pozitiv që do ta kishte për vendin tonë përzgjedhja e mundshme si vend mikpritës i Lojërave Mesdhetare, që njëherit do të përbënte një moment historik për ne duke u bërë për herë të parë nikoqir të një ngjarjeje ndërkombëtare të kësaj përmase”- thuhet në njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka theksuar se ndikimi i këtij organizimi shkon përtej sportit dhe se duhet të konsiderohet si platformë e cila përfshin planet zhvillimore të të gjitha sektorëve tjera relevante me organizimin e lojërave.

“Lojërat 2030, shënon edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bën bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut. Kosova kishte shpallur zyrtarisht kandidaturën për organizimin e këtyre lojërave në fillim të muajit prill, gjatë një konference të përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi”- bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë.