Foto nga faqja në Facebook e Kryeministrit të Shqipërisë

Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton dy ujdi me Qeverinë e Shqipërisë

Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti ka mbajtur një mbledhje elektronike ku ka miratuar dy marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë që drejtohet nga Edi Rama.

Marrëveshja e parë synon të promovojë tregtinë mes dy vendeve, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave ndërkufitare.

“Nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në lehtësimin e Procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktet me origjinë jo Shtazore”- thuhet në njoftim.

Kjo ishte mbledhja e 146-të e Qeverisë.

Siç njoftoi ekzekutivi kosovar, ujdia e dytë me qeverinë shqiptare lidhet me arsim.

“Nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim Arsimor dhe Shkencor me përfitim reciprok” – thuhet në njoftim.

Të mërkurën, më 14 qershor, dy qeveritë e dy shteteve shqiptare mbajnë një mbledhje të përbashkët në Gjakovë.