Qeveria Kurti emëron anëtare të Bordit të Agjencisë së Veterinës bashkëshorten e zyrtarit të Vetëvendosjes
Qeveria në detyrë e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në mbledhjen e sotme elektronike ka emëruar bordin e ri të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit.
Ndër të tjerë, anëtare e bordit është zgjedhur edhe Dafina Gexha, e cila punon në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Gexha është gruaja e Fatban Bunjakut, anëtar i Vetëvendosjes.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Bunjaku ka thënë se gruaja e tij është apartiake dhe është profesioniste në IKShPK, i cili edhe e ka bërë propozimin për emërim.
“Gruaja ime është apartiake, nuk është anëtare e Lëvizjes, është profesioniste në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe propozimin për emërim, nuk e ka bo Qeveria e aq më pak partia, por e ka bo institucioni ku ajo punon”, ka thënë Bunjaku përmes telefonit.
Ai ka thënë se Agjencia funksionon përmes dy bordeve, njëri është shkencor dhe tjetri ekzekutiv dhe emërimet aty bëhen, sipas Bunjakut, me propozimet e Ministrisë së Bujqësisë, Universitetit, Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të IKShPK-së.
Bunjaku po ashtu ka treguar se në Vetëvendosje ka punuar me kontratë të rregullt si sekretar për logjistikë dhe informacion, ndërsa sipas tij, që nga data 1 janar e këtij viti e ka shkëputur kontratën dhe tashmë është vetëm anëtar i thjeshtë i Vetëvendosjes.