Skenderaj, AUV ankohet se banorët nuk lejuan asgjësimin e 23 krerë lopë me sëmundjen e Brucelozës

Qytetarët në Skenderaj kanë penguar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) të bëjë asgjësimin e 23 krerë lopë të cilat kanë rezultuar pozitiv me sëmundjen e Brucelozës.

Lamir Thaçi zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ka thënë për KALLXO.com se kjo është hera e tretë që kanë shkuar për të kryer këtë asgjësim.

“Në vendin e caktuar nga Komuna për asgjësimin e kafshëve kemi nisur hapjen e gropës. Aty menjëherë janë mbledhur fshatarët dhe kanë penguar punën. Prezent ishin edhe inspektorët komunal të cilët nuk kanë arritur ti bindin banorët për lejim të kryerjes se asgjësimit. Në rast kanë dalë edhe Policia e Kosovës”- ka thënë ai.

“Për disa herë radhazi po dërgon inspektor bashkë me kompaninë e kontraktuar për kryerjen e shërbimeve të transportit, therjes dhe groposjes se kafshëve. Në lokacionet të cilat po caktohen nga organet komunale nuk po mund të kryhet asgjësimi i kafshëve për shkak të pengimit nga banorët e zonës”- ka thënë ai.

Tutje Thaçi ka sqaruar se në rastin  e fundit pas bisedës me banorët, “policët kanë kërkuar nga inspektorët komunal dokument me shkrim (vendim) për caktim të lokacionit të asgjësimit. Të cilët nuk e kanë poseduar dhe policia janë tërhequr së bashku me Inspektor komunal”- ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se kafshët kanë qenë të ngarkuara në kamion, gropa ka qenë duke u hapur por në mungesë të krijimit të kushteve është ndërprerë procesi.

“Si autoritet me i latë kompetentë për shëndetin veterinarë në vend. Ne kemi kryer të gjitha detyrat sipas mandatit ligjorë. Diagnostikimin, testimin, vendosjes se masave parandaluese për përhapje të sëmundjes. Shkuarjen në teren për kryerje të asgjësimit. Në mungesë të lokacionit nuk është arritur të kryhet asgjësimi”- ka theksuar ai.