AUV tërheq nga tregu dhe asgjëson rreth 3100 çokollata me afat të skaduar. FOTO: Faton Peci/Facebook.

AUV tërheq nga tregu rreth 3,100 çokollata me afat të skaduar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer një aksion në dy lokacione, ku ka tërhequr nga tregu dhe ka asgjësuar produkte me afat të skaduar.

Ketë e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka thënë se bëhet fjalë për rreth 3,100 çokollata të asgjësuara gjersa ka shtuar se ditëve në vijim do të asgjësohen edhe 1,500 çokollata të tjera.

“Sot në prani të zyrtarëve të AUV janë asgjësuar rreth 3100 çokollata ndërsa ditëve në vijim do të kryhet asgjësimi edhe i rreth 1500 çokollatave të tjera në një lokacion të dytë, të cilat gjinden të bllombuara” – ka shkruar ministri në Facebook..

Kreu i Ministrisë së Bujqësisë ka bërë të ditur se zyrtarët e AUV-së, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, kanë ndaluar dhe bllokuar këto produkte ushqimore të dyshimta si dhe kanë nxjerrë urdhrin për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu.

Tutje, Peci ka falënderuar qytetarët të cilët i ka konsideruar “palë bashkëpunuese në luftimin e dukurive të tilla negative që cenojnë shëndetin publik”.