Qeveria i propozon Kuvendit ta shkarkojë anëtaren e bordit të OSHP, deklarohet Kimete Gashi

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku po diskutohej për raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022, prezente ishte edhe anëtarja e bordit të OSHP-së, Kimete Gashi.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot i ka propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2020 ka mbetur i papërfunduar për shkak se OSHP-ja kërkon që ofertat e operatorëve ekonomikë të kthehen në rishqyrtim, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konsideron se OSHP-ja ka bërë shkelje ligjore.

Në mbledhjen e Komisionit, Gashi ka thënë se kur ka filluar punën si anëtare e bordit, lëndën e tenderit për insulinat e ka gjetur në rivlerësim, me vendim të bordit të kaluar.

“Kur jemi shku aty e kemi gjetë këtë lëndë në rivlerësim për të cilën kemi pasë një vendim të bordit të kaluar, ka qenë i njëjtë në rivlerësim për të cilin e kemi pasë një vendim të bordit të kaluar, ka qenë i njejtë, rivlerësim. Në momentin që kemi shku ne dhe e kemi gjetë ankesën duke pritur për trajtim atëherë më pas anëtarët e bordit unanimisht kemi nënshkru që të kthehet lënda në rivlerësim sepse ishte anulu nga Ministria e Shëndetësisë. Në procedurë për me u kthy në rivlerësim kanë qenë të pestit”- shpjegon Gashi.

Ajo tregon se lënda përsëri ka shkuar në rishqyrtim dhe sipas saj, Ministria e Shëndetësisë për arsyet e saj nuk e ka shpallur fituesin.

“Kur ka shku lënda përsëri, përsëri Ministria e Shëndetësisë për arsyet e veta nuk e ka shpallë fituesin, cilido qoftë ai. Ne kemi thënë që do të jetë vetëm njëri dhe kur ka ardhë herën e dytë përsëri është dashtë me qenë numri tek i anëtarëve të bordit sipas rregullores që e kemi dhe ligji që e përcakton. Meqenëse njëri prej anëtarëve të bordit ka dhënë dorëheqje atëherë ishin tre dhe po ata të tretë nuk kanë ndërru qëndrim dhe kanë votu sikurse herën e parë. I vetmi ndryshim ka qenë se unë kam qenë e emëruar kryetare me short ndërsa të tjerët kanë qenë anëtarë, vota është e njëjtë unë nuk kam mandat, as asnjëri prej neve kur të caktohet kryetar me pasë të drejtë të dyfishtë, jo të gjithë njëjtë”- tha Gashi.

“E kemi pasë edhe ekspertin që na ka mbështetë, kemi pasë edhe seancën publike. Kemi informata që Ministria e Shëndetësisë ka nënshkru kontrata me udhëzim administrativ por neve nuk na ka interesu ajo shumë, neve na ka interesu qat procedurë ta përfundojmë sipas ligjit të cilën vetë Ministria e ka leju ose udhëzimin administrativ ose autorizim marketingu. Ne vetëm për pjesën procedurale kemi pa”- shtoi ajo.

Gashi shpjegoi se në raportimin e javës së ardhshme në Komision do të prezantojë dhe dorëzojë tri vendime të Gjykatës së Apelit teksa shtoi se “do ta respektoj çdo vendim të Qeverisë dhe Kuvendit dhe do të shkarkohem normalisht”.

“A kemi gabu? Kemi mendu që jo dhe realisht nuk kemi gabu sepse kemi tri vendime të Gjykatës së Apelit në Prishtinë për të cilën seancën e radhës, me lejen e juaj ashtu edhe siç kërkuat do t’jua dorëzojmë, dhe nëse ju e shihni të arsyeshme unë do ta respektoj çdo vendim të Qeverisë dhe Kuvendit dhe do të shkarkohem normalisht”- deklaroi anëtarja e bordit të OSHP-së.

Kimete Gashi ishte zgjedhur anëtare e bordit të OSHP-së me 61 vota pro të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në qershor të vitit të kaluar.

Në atë kohë, kishte kaluar më shumë se një vit që kur OSHP kishte mbetur pa bord.

Qeveria i propozon Kuvendit shkarkimin e një anëtare të Bordit të OSHP