Qeveria i propozon Kuvendit shkarkimin e një anëtare të Bordit të OSHP

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot i ka propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Kimete Gashi, për shkak të tenderit për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2020 ka mbetur duke u zvarritur, për shkak se OSHP-ja kërkon që ofertat e operatorëve ekonomik të kthehen në rishqyrtim, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konsideron se OSHP-ja ka bërë shkelje ligjore.

Në konferencë për media pas mbledhjes, ministri Arben Vitia tha se kjo situatë në mënyrë substanciale rrezikon shëndetin publik.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin për presionin nga prokuroria dhe OSHP për nënshkrimit e kontratës nga një operator. Ministria njofton opinionin që të gjitha vendimet i ka kundërshtuar me ushtrimin e padive gjyqësore. Rreziku që i kanoset përdorursve të barnave pa autorizim marketingu, ne nëse lejojmë këto barna, përveç dyshimeve në cilësi, askënd nuk mund ta bëjmë përgjegjës” – tha ai.

Ai tha se Ministria ka marrë të gjitha masat që të ndalohen prokurimet pa autorizim marketingu, por sipas tij, në këtë reformë është duke u ballafaqur me presion nga OSHP dhe Prokruroria.

Si ministër i shëndetsisë, edhe si mjek, është obligim shëndeti i qytetarëve, në çdo rast para çdo gjëje. Ne i bëjmë thirrje edhe kompanisë në fjalë që të aplikoj për autorizim marketingu, procedurat e regjistrimit janë të thjeshta dhe mund të bëhet regjistrimi i barnave” – tha ministri Vitia para gazetarëve.