Qeveria formon komision hetimor për kryeshefin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 25 ka marrë vendim që të themeloj një komision hetimor lidhur me rastin e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Ramaj.

Siç bëhet e ditur në komunikatë këtë propozim e ka bërë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, nën arsyetimin se janë gjetur fakte për keqmenaxhimin nga kryeshefi Ramaj.

“Në vijim ka marrë miratimin edhe vendimi për themelimin e Komisionit Disiplinor lidhur me rastin e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Vendimi është miratuar në bazë të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë me arsyetimin se janë gjetur fakte për keqmenaxhimin, paaftësinë profesionale dhe shkeljeve flagrante të kritereve ligjore ose të mosplotësimit të kritereve ligjore gjatë përzgjedhjes së Rrahim Ramës në këtë pozitë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Më 7 prill të këtij viti ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka njoftuar  ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

“Këtë procedurë e ndërmorëm për faktin se: – Që nga përzgjedhja e tij e deri më sot, kemi identifikuar prova të pakontestueshme të cilat na bindin se inicimi i procedurës disiplinore për shkelje serioze, fillimisht do të rezultojë me sanksion disiplinor në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ministria inicion procedurë disiplinore ndaj drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar