Sekuestrimi i Pasurisë-Mungojnë Veprimet Konkrete

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu!” paraqiti sot studimin në lidhjje me pasurinë e paligjshme të sekuestruar në Kosovë.

Duke paraqitur këtë studim Arton Demhasaj nga “Çohu” tha se ende në Kosovë mbetet sfidë luftimi i krimit të organizuar dhe shpesh kjo ndërlidhet me mungesën e veprimit.

“Aktualisht Kosova ka bazë penale për pasurinë e paligjshme, por deri më tani nuk është treguar e suksesshme, pasi që shpesh kjo vjen si pasojë e mosveprimit. Po ashtu, ka raste kur më shumë kushton procedura gjyqësore sesa shuma e konfiskuar,” tha Demhasaj.

Ai bëri të ditur se ka mungesë të statistikave për konfiskim të pasurisë dhe ato të dhëna që ekzistojnë nuk janë në përputhje.

Albulena Haxhiu’ kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, tha se ekziston një papërgjegjësi nga institucionet në lidhje me pasurinë e paligjshme.

“Ligji aktual për Konfiskim të Pasurisë që tre vjet pas miratimit nuk po sjell rezultate, pasi që organet e drejtësisë që duhet ta zbatojnë ligjin janë të kapura,” tha Haxhiu.

Ajo tha se duhet të bëhet rishikim i pakos ligjore dhe duhet të ketë prokurorë të profilizuar.

Po ashtu, Haxhiu deklaroi se shumë skandale po kalojnë heshtazi dhe nuk po merren masa për zyrtarët që po pasurohen shpejt.

Fadil Bunjaku nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, tha se jo të gjitha pasuritë administrohen nga kjo agjenci dhe se statistikat që i zotëron ky institucion janë vetëm për ato pasuri që i zotëron kjo agjenci.

Avdi Dinaj nga Gjykata Supreme tregoi rolin e gjyqtarëve në çështjet që lidhen me sekuestrimin e pasurisë.

Sipas këtij raporti vlera e pasurisë se sekuestruar për vitin 2014 është 31 milionë euro, por nga kjo më pak se 1 milion janë konfiskuar. Ndërsa deri në muajin qershor të vitit 2015 janë sekuestruar 16 milionë euro, por vlera e konfiskuar nuk kalon më shumë se 100 mijë euro.

Raporti i “Çohu” është hartuar mbi bazën e interpretimit të të dhënave mbi pasurinë e konfiskuar dhe mbi analizën e përmbajtjes së legjislacionit aktual që rregullon këtë fushë.

http://kallxo.com/kipred-pastrimi-parave-trasheguar-nga-viti-99