200 Kërkesat pa Përgjigje për Pasurinë e Sekuestruar

Rrahim Rama, kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar tha sot se institucioni që drejton ka bërë 200 kërkesa për shitje të pasurisë së sekuestruar të krijuar me vepra penale, por nuk ka marrë përgjigje për autorizimin e një shitjeje të tillë.

“Ne deri më sot kemi bërë 200 kërkesa për 200 pasuri dhe asnjë përgjigje nuk na është dhënë. Ne nuk e dimë a se ka kthyer gjykata apo prokuroria, kurse ne si agjenci nuk kemi marrë asnjë përgjigje,” tha Rama.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi tha se nuk ka dijeni nëse ndonjë gjykatë në Kosovë ka neglizhuar kërkesat e Agjencisë së Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Gjatë vizitës së zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë e vendas në depon qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në fshatin Llukar, Rrahman Rama tha se agjencia nuk dëshiron të shndërrohet në sallon të veturave.

“Ne nuk jemi agjenci që ta bëjmë këtu sallon të mobileve apo të veturave, por jemi agjenci që krimet që burojnë nga veprat penale ne t’i shesim dhe t’i kthejmë në buxhetin e Kosovës, aty ku do të duhej të ishin,” tha Rama.

Por Hamdi Ibrahimi tha se Kodi i Procedurës Penale e rregullon sekuestrimin e pasurisë.

“Ajo çka mund të them unë në lidhje me procedurën e konfiskimit është se kodi i procedurës është shumë i kjartë. Konfiskohet çdo send që është i përdorur për kryerjen e veprës penale. Këtu ne po shohim shumë asete të tilla që janë,” tha Ibrahimi.

E pranishme në depon ku mbahen pasuritë e sekuestruara ishte edhe ministrja e Drejtësisë Dhurata Sadiku-Hoxha.

Ministrja kërkoi që pasuria e krijuar me vepra penale të shitet sa më shpejt, në mënyrë që të mos zhvleftësohet dhe shteti të mos shpenzojë për mbajtjen e saj.

“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë,” tha Hoxha.

Depon qendrore të pasurive të sekuestruara e vizituan edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës Blerim Isufaj e Nehat Idrizi, si dhe përfaqësues nga Zyra e BE-së, ambasada e SHBA-së dhe EULEX-i.